Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën Elvana Shala, folëse kryesore në Samitin Evropian për Paqe

16 Nëntor, 2019 - 11:00 am

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC Elvana Shala po qëndron në Roterdam të Holandës ku ishte folëse kryesore në Samitin Evropian për Paqe, Filantropi dhe Ndërmarrësi në të cilin po marrin pjesë rreth 400 përfaqësues nga vende të ndryshme të Evropës.

Në panelin e veçantë me temën: Rëndësia e paqes në Evropë ; Rasti i Kosovës, i cili edhe shënoj hapjen zyrtare të samitit, Shala ka folur gjerësisht për detajet që e quan Kosovën drejtë konfliktit me Serbinë, duke theksuar se kosovarët të gjendur nën regjimin e ish-Jugosllavisë  për shumë vjet, të cenuar nga e drejta për jetë të lirë e të pavarur, të akuzuar  e të burgosur padrejtësisht, të vrarë, e të dëbuar nga shtëpitë e tyre  të mohuar nga e drejta e arsimimit dhe punës e mbi të gjitha të lodhur duke mos pasur shtetin e tyre si shtet sovran, vendosin të ndryshojnë këtë gjendje duke thirrur shpeshherë protesta paqësore për mbrojtjen e të drejtave të tyre, por  të cilave  policia serbe i përgjigjej brutalisht.

Duke dashur të ndryshojnë këtë gjendje, në vitin 1998,  shoqëritë shqiptare në mërgim u angazhuan për ngritjen e  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  e cila u kryesua nga komandanti Adem Jashari dhe kishte për qëllim luftimin kundër forcave serbe dhe mbrojtjen e territorit dhe popullit të Kosovës. Tutje ajo ka shpjeguar se Lufta e përgjakshme dhe gjenocidi i ushtruar nga forcat serbe në popullin shqiptar rezultojë dëbimin e rreth 800.000 shqiptarëve nga territoret e tyre,  rreth 15.000 u vranë e u masakruan dhe 5000 të tjerë rezultuan të zhdukur.

Gjatë diskutimit tutje ajo ka shpjeguar se në çfarë situate gjendej Kosova në kohën e luftës, duke shpjeguar se në atë kohë jeta në Kosovë u shndërrua në një ferr, gjithçka tashme ishte e pamundur dhe jashtë funksionit. Si armë të luftës, Serbia përdori edhe dhunën seksuale të cilën e ushtroj në  rreth 20.000 gra burra dhe fëmijë duke i lënë me pasoja, gjatë tërë jetës së tyre. Pra thënë shkurt ajo periudhë ne Kosovë ngjante në filma horror qe vështirë te imagjinohen e lere me te përjetohen. – ka thënë Shala gjatë diskutimit në panel.

Ajo është pyetur edhe se si e përjetoj gjenerata e saj në atë kohë ngjarjen tragjike duke theksuar se në atë kohë ajo ishte fëmijë dhe krejt çka e mendonin dhe e dëshironim ishte ti shpëtonim vdekjes bashke me familjet e tyre.

Gjatë diskutimit ajo është pyetur edhe për gjendjen aktuale të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ku ka thënë se Kosova ka bërë hapin e madh në mbrojtjen dhe respektimin e këtyre viktimave me aprovimin e ligjit në Kuvendin e Kosovës dhe funksionimin e komisionit qeveritar për verifikimin e statusit të tyre. Me theks të veçantë ka folur për znj. Vasfije Krasniqi Goodman dhe znj. Shyhrete Tahiri Sylejmani te cilat janë heroinat e para qe dolën publikisht për te rrëfyer mbi aktin e dhunimit të kryer nga forcat serbe.

Më pas ajo ka folur edhe për rëndësinë e paqes në Evropë ku ka theksuar se nëse nuk mbizotëron paqja nuk mund të ketë funksionalizim normal të njerëzve dhe se Kosova është rasti me specifik se si ka arritur të ndërtoj paqe Brenda një kohe tejet të shkurtër falë bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-në, shtetet e Be-së dhe NATON. Gjatë këtij paneli ajo ka folur edhe për rolin e shoqërisë civile në ndërtimin e paqes dhe formimin e Ushtrisë së Kosovës si hap kryesor i vendit për sigurinë e qytetarëve dhe iniciativat për të kërkuar drejtësi kudo në botë për krimet e Serbisë.

E pyetur për të ardhmen e Kosovës, Shala ka theksuar se dëshiron ta shoh shumë shpejtë të integruar në BE dhe në veçanti të kemi liberalizim të vizave si e drejtë thelbësore për lëvizjen e lirë në zonën shengen.

Ambasadorja Shala diskutimin në panel e ka mbyllur duke rrëfyer domethënien e flamurit të Kosovës duke shtuar se është krenare që ai flamur e përcjellë nga pas në cdo vend të botës ku ajo shfaqet për të përfaqësuar vendin.

Porosia e saj e fundit për të pranishmit ishte se “nuk mund të ketë paqe në Evropë nëse Ne nuk jemi të bashkuar për ta ndërtuar atë”. /KultPlus.com

Të ngjajshme