Androniqi Zengo Antoniu ndër të parat profesioniste të artit pamor shqiptar

26 Maj, 2025 - 12:06 pm

Më 26 maj të vitit 1913 lindi ikonografja, piktorja dhe mësuesja dardhare, Androniqi Zengo Antoniu.

Studimet e larta i kreu në Shkollën e Arteve të Bukura në Athinë, ku spikati për rezultate të shkëlqyera dhe ku së bashku me të motrën do të cilësohej ndër të parat femra profesioniste të artit pamor shqiptar.

Androniqi restauroi pikturat murale të Shën Mërisë, të Shën Thanasit në Korçë, të Shën Kollit në Hoçisht etj.

Kthimi në atdhe e gjen Androniqin në Korçë në rolin e mësonjëses pranë shkollës femërore. Në vitin 1937, në kuadrin e festimeve të 25-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Zengo çel ekspozitën e parë të saj ndërsa ekspozita e dytë u çel një vit më vonë, duke kaluar përmasat lokale, duke e shndërruar Androniqin në model frymëzimi për gratë.

Emri i saj do të përmendej në galeritë apo në panairet më të suksesshme të kohës. Në vitin 1940, Zengo do të nderohej në Bari të Italisë për veprën “Kalaja e Petrelës”. Pjesë e ekspozitës ishin edhe zëra unikë të pikturës shqiptare, sikurse Vangjush Mio dhe Zef Kolombi. Artistja do të vlerësohej gjatë periudhës së komunizmit brenda dhe jashtë vendit për punën e saj krijuese. Në pikturat e saj mbizotërojnë portretet, peizazhi, dashuria për kostumet dhe vendlindja e saj, Dardha./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme