21 Maj, 2025 - 4:51 pm
Sot është një ditë e jashtëzakonshme për koreografin e famshëm me origjinë shqiptare, Angelin Preljocaj, i cili u pranua zyrtarisht si anëtar i Akademisë së Arteve të Bukura të Francës.
“Ky është gjithashtu një moment i madh krenarie edhe për Shqipërinë dhe për kulturën shqiptare”, shkruan Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në rrjetet sociale.
Ceremonia speciale u zhvillua nën kupolën madhështore dhe historike të Institutit të Francës (Institut de France).
Fjalën e tij Angelin Preljocaj e nisi me një homazh për të gjithë ata balerinë që në më shumë se 40 vjet kanë dhënë kontribut me pasion dhe bënë historinë e kompanisë së tij dhe më tej përmendi një numër të madh bashkëpunëtorësh te të cilët ka gjetur mbështetje gjatë karrierës së tij të gjatë.
Angelin Preljocaj lindi në Francë, më 19 janar 1957 dhe filloi të studionte baletin klasik përpara se t’i përkushtohej kërcimit bashkëkohor, të cilin e studioi me Karin Waehner, Zena Rommett, Merce Cunningham dhe më vonë Viola Farber dhe Quentin Rouillier. Në dhjetor 1984 Preljocaj themeloi kompaninë e tij.
Që nga fillimet e tij, ai ka krijuar 61 vepra koreografike, duke filluar nga solo në formacione më të mëdha duke përfshirë Romeo & Juliet, Borëbardha, Liqeni i Mjellmave. Atij i pëlqen të alternojë balete të mëdhenj narrativë me pjesë më abstrakte si Empty Move, Still Life, Deleuze/Hendrix.
Angelin Preljocaj bashkëpunon rregullisht me artistë të tjerë në fusha të ndryshme si muzika, artet pamore, dizajni, vizatimi, letërsia dhe filmat e animuar.
Angelin Preljocaj ka marrë çmime të shumta dhe ka drejtuar disa filma të shkurtër dhe filma me koreografi të tij. Kompania që Preljocaj themeloi ka 30 kërcimtarë të përhershëm dhe performon mesatarisht 120 shfaqje në vit, në mbarë botën./atsh/KultPlus.com