30 Korrik, 2025 - 5:15 pm
Kryeqyteti sonte bëhet skenë e një ngjarjeje të jashtëzakonshme kulturore, ku ylli botëror i operës, Anita Rachvelishvili, do të performojë për herë të parë në Prishtinë në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj.
Koncerti mbahet në ora 20:30, në hapësirën e jashtme të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, që për një natë do të shndërrohet në një ambient të hapur nën yje, duke sjellë emocione të fuqishme për publikun artdashës. Me një repertor që përfshin arie të mëdha operistike dhe këngë nga Italia, Gjeorgjia dhe Argjentina, Rachvelishvili do të udhëheqë një udhëtim muzikor që bashkon kultura dhe ndjenja nga e gjithë bota.
E shoqëruar nga Ansambli i Festivalit Rame Lahaj dhe nën drejtimin e dirigjentit të njohur Nikoloz Rachveli, kjo mbrëmje pritet të jetë një festë e pasionit për artin dhe një përvojë që vendos Prishtinën në hartën e skenave të rëndësishme ndërkombëtare të muzikës operistike.
Hyrja në koncert është falas dhe të gjithë qytetarët janë të ftuar të bëhen pjesë e kësaj mrekullie artistike./KultPlus.com