28 Maj, 2025 - 5:22 pm
Në qytetin e Vlorës përfundoi me sukses edicioni i 17-të i Aulona Inter Folk Festival, që u mbajt nga 23 deri më 26 maj.
Në natën finale, Komiteti Organizator nderoi me kupën e edicionit të shtatëmbëdhjetë të festivalit Ansamblin “Kolkhida” të Gjeorgjisë” të cilën e dorëzoi kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha.
Për katër ditë me radhë Vlora u “pushtua” nga këngët, ritmet e valleve dhe ngjyrat e lloj-llojshme të kostumeve popullore të grupeve folklorike ardhur në në këtë festival nga vende të ndryshme të Europës.
Për të shtatëmbëdhjetin vit me radhë Aulona Festival është kthyer në një traditë të bukur për qytetin bregdetar të Vlorës.
Këtë vit u bënë pjesë e këtij aktiviteti të madh folku ansamble nga Italia, Polonia, Sllovakia, Gjeorgjia, Ukraina, Kosova, Maqedonia e Veriut, ndërkohë që nga Shqipëria morën pjesë ansamblet “Dropulli” e “Krahu i Shqiponjës Taip Madani” si dhe grupi polifonik “Thesaret labe”.
Drejtori i Qendrës Kulturore “Aulona” si dhe drejtori i përgjithshëm i Festivalit, Sejmen Gjokoli, tha për ATSH-në se, “në ditët e festivalit 330 festivalistë e mbushën Vlorën dhe rrethinat me këngë, valle e ngjyra kostumesh duke përçuar traditën shpirtërore të popujve europianë e njëkohësisht duke u kthyer edhe në një urë bashkëpunimi e integrimi mes kulturave të njeri tjetrit”.
Sipas tij, në ditët e çeljes së sezonit turistik ky festival shënon një tjetër aktivitet të jashtëzakonshëm si pjesë e agjendës kulturore të bashkisë së Vlorës.
Këtij dimensioni të festivalit i shërbyen edhe vizitat në vendet pasuri të trashëgimisë kulturore e natyrore si Manastiri i Zvërnecit apo plazhet e Radhimës.
Përveç performancave të lira në rrugët dhe sheshet e qytetit festivali dha shfaqje edhe në qendrën historike të qytetit në sheshin e rikonstruktuar përpara bashkisë por edhe në mjediset e “Pyllit orbital” pranë Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në Skelë.
Në ditën e parë të festivalit, përfaqësuesit e grupeve pjesëmarrëse u pritën në ambientet e Bashkisë së Vlorës nga kryetari Ermal Dredha, i cili vlerësoi shumë praninë e tyre në këto ditë të hapjes zyrtare të sezonit turistik 2025 duke i shtuar qytetit edhe më shumë bukurinë dhe ngjyrat e pranverës.
“Fakti që ju jeni kaq shumë dhe nga një gjeografi kaq e gjerë e Europës tregon për fuqinë që ka arti dhe kultura në lidhjen dhe forcimin e miqësisë midis vendeve po edhe për vet fuqinë e trashëgimisë shpirtërore në integrimin e kulturave të popujve”, tha Dredha.
Ndërsa në skenën e ngritur enkas për festival, në sheshin përpara Stadiumit “Flamurtari”, për tri mbrëmje grupet pjesëmarrëse realizuan performancat konkurruese të cilat u përcollën me shumë kërshëri e entuziazëm nga artdashësit e shumtë, qytetarë vlonjatë por edhe të huaj që në këto ditë fundmaji kanë zgjedhur Vlorën për të pushuar e vizituar.
Aulona Inter Folk Festival është festivali ndërkombëtar më i madh në fushën e folklorit ku vetëm për efekt të këtij aktiviteti, në të shtatëmbëdhjetë edicionet së bashku, Vlorën e kanë vizituar 133 ansamble folklorike me mbi 4700 pjesëmarrës nga 38 vende të Ballkanit, Evropës dhe Azisë.
Festivali u mbështet nga bashkia e Vlorës , Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit si dhe donatorë të tjerë./atsh/KultPlus.com