Ansambli Popullor dhe Ansambli i Kosovës “Shota”, së bashku në Gjirokastër

30 Qershor, 2023 - 2:15 pm

ATSH Ansambli Popullor dhe Ansambli i Kosovës “Shota” kanë realizuar një koncert të përbashkët, mbrëmë në TKOB. Koncerti vëllazëror, i titulluar “Ne jemi një” ka shpalosur bukur traditën tonë shqiptare.

Pas pritjes së ngrohtë që i rezervoi publiku i Tiranës, dy ansamblet do ta çojnë koncertin e tyre të përbashkët edhe në qytetin e Gjirokastrës, ku po zhvillohet Festivali Folklorik Kombëtar. “Ne jemi një” do të shfaqet në natën përmbyllëse të festivalit të Gjirokastrës.

“Ne jemi NJË” në TKOB, por “Ne jemi NJË” edhe në sofrën e ngrohtë të Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, shkruhet në faqen online të TKOB.

Si një trup i vetëm, Ansambli Popullor dhe Ansambli i Kosovës “Shota” do të kremtojnë trashëgiminë e të përbashkët me këngë e valle popullore, në mbyllje të këtij festivali.

Me vallen e Drenicës, vallen Çame e atë të Dasmës Tiranse, me këngën “Mora fjalë”, “Kaçurrelat”, “Ani mori nuse” e me kolazh jugor e verior, Kalaja e Argjirosë do e përcjellë këtë ngjarje të rëndësishme, organizuar nga Ministria e Kulturës./KultPlus.com

Të ngjajshme