Ansambli ‘Shota’: Me hidhërim të thellë morëm lajmin për vdekjen e mikut dhe bashkëpunëtorit tonë

7 Maj, 2020 - 3:46 pm

IN MEMORIAM: Ahmet Brahimaj (1953-2020)

Nga Shefqet Gjocaj

Me hidhërim të thellë morëm lajmin për vdekjen e mikut, bashkëpunëtorit dhe artistit të nderuar Ahmet Brahimaj, ish- balerin dhe drejtor shumëvjeçar i Baletit Kombëtar të Kosovës.

Andaj dua që në emër të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe në emrin tim personal t’u shpreh ngushëllimet më të thella familjes Brahimaj, miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij të afërt.

Njëherazi ngushëllimet tona, në veçanti shkojnë për të gjithë kolegët nga Baleti Kombëtar i Kosovës, institucion ky që lidhët ngushtë me emrin e Ahmet Brahimajt.

Ahmeti nuk e jetoi gjatë moshën e pensionit, sepse edhe ashtu ai nuk mund të paramendohej si pensionist. Autoriteti dhe karizma e tij ishin domosdoshmërish të nevojshme aty ku ai e kaloi pjesën më të madhe të jetës: Në Teatrin Kombëtar dhe rreth Trupës së BKK. Mungesa e asaj karizme do të le boshllëk të madh dhe do të na mungojë të gjithëve.

Duke qenë se emri i tij ishte i lidhur edhe me AKKV “Shota”, si ish-anëtar i Këshillit Artistik dhe si bashkëdrejtues i këtij institucioni, për një periudhë të shkurtër kohore, e pastaj edhe si anëtar komisioni në vlerësimin artistik të TA, ai do të na mungojë edhe si bashkëpunëtor i Ansamblit. Respekt për punën dhe veprën e tij.

Prehu në paqe, Ahmet! Shpirti të pastë dritë! / KultPlus.com

Të ngjajshme