Anthony Albanese do të bëhet kryeministri i parë i Australisë me prejardhje arbëreshe

21 Maj, 2022 - 3:11 pm

Anthony Albanese do të bëhet kryeministri i parë i Australisë që s’do të ketë prejardhjen anglo-kelte.

Zgjedhjet e 21 majit në Australi kanë hequr nga pushteti kryeministrin Scott Morrison dhe për herë të parë në pothuajse një dekadë vendi ka zgjedhur qeveri laburiste, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Albanese, një nga politikanët më jetëgjatë të Australisë, thotë se është koha që parlamenti të reflektojë për “Australinë moderne”, duke përmendur gjithashtu fillimet e tij modeste si fëmijë në banesat publike.

Laburisti ka fituar reputacion si përkrahës i sistemit të kujdesit shëndetësor falas të Australisë, mbrojtës i komunitetit LGBT, një republikan dhe një tifoz i pasionuar i ligës së regbit.

Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse do të jetë qeveri e shumicës apo në koalicion me parti të vogla.

Albanese është lindur në Sydney. Ai është djali i Carlo Albanese dhe Maryanne Ellery. Nëna e tij ishte një australiane me origjinë irlandeze, ndërsa babai i tij ishte nga Barletta e Italisë, qytet në juglindje të Italisë ku jetojnë një pjesë e madhe e arbëreshëve. Në komunën e Apulias, në rajonin e së cilës bën pjesë edhe Barletta, në bazë të të dhënave aktuale, aty jetojnë 22,733 arbëreshë.

Gjithashtu, Albanese është një mbiemër italian që do të thotë “shqiptar” dhe iu referohet popullit arbëresh (italo-shqiptar) të Italisë së Jugut. Mbiemri është më i përdorur në Italinë jugore, por më i rrallë në vende të tjera të Italisë./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme