Apolloni: Çfarë dreqin po promovojnë idiotët e PISA-s

7 Dhjetor, 2023 - 5:47 pm

Shkruan Ag Apolloni

DIKTATURA PO VJEN

Ministrja e Arsimit shqetësohet për gjëra që nuk duhet të shqetësohet dhe nuk shqetësohet për gjëra që duhet të shqetësohet.

Pse duhet të shqetësohet ajo për rezultatet në testin PISA, ku Kina del gjithmonë e para, ose e dyta. Kina paska sistemin më të mirë edukativ në botë?! Rrjedhimisht, duke qenë më të mençur, kinezët e dinë që diktatura komuniste është më e mirë se çdo sistem tjetër, prandaj nuk e ndërrojnë fare. E besoni këtë? Që vendet diktatoriale e kanë sistemin më të mirë të edukimit?

Çfarë dreqin po promovojnë idiotët e PISA-së dhe OECD-së, pastaj edhe idiotët e Kosovës që përqyrraven nëpër televizionet tona, duke u shqetësuar me rezultatet e PISA-së? Metodat komuniste të edukimit, sigurisht.

Ekziston një (para)gjykim se para luftës, në shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë, nxënësit mësonin më shumë. Dyshoj në këtë, por le ta marrim si të vërtetë. Pse mësohej atëherë më shumë se sot? Sepse kur shkoje në shkollë pa i bërë detyrat e shtëpisë, ose edhe kur ishe në klasë dhe nuk angazhoheshe në mësim, mësuesi/mësuesja t’i skuqte duart me thupër, vizore, ose antenë radioje (ndërsa mësuesi i muzikës të rrihte me shkop të cimbalit). Përveç këtyre mjeteve (rrethanore), mësuesit edukonin edhe me shuplaka dhe, në raste ekstreme, edhe me grushte. Ky ishte sistemi ynë “kinez”, diktatorial, i edukimit.

Tash nuk i rrahim fëmijët nëse nuk mësojnë, dhe atyre s’u bëhet vonë nëse zënë vendin e shtatë, apo të shtatëdhjetë në një garë që quhet PISA, e cila promovon modelin komunist të edukimit. Dhe ata kanë të drejtë, sigurisht.

Gjatë udhëtimeve të mia nëpër Evropë, kam takuar edhe kinezë. Ata kanë frikë të flasin hapur. Për ta, çdo i huaj është spiun potencial, që dëshiron ta dëmtojë Kinën ideale. Ai edukim, që promovohet nga pisat e PISA-së, ka prodhuar atë paranojë.

Nxënësit kosovarë duhet t’i inkurajojmë, jo t’i fajësojmë e t’i bëjmë t’u vijë turp nga rezultati. Njësoj duhet të bëjmë edhe me mësimdhënësit. Më mirë t’i edukojnë nxënësit në formë demokratike, liberale, pa ato “mjetet rrethanore”, që “kanë dalë prej xhenetit”, sesa t’i afrohemi Kinës me nxënës që u djegin duart dhe faqet nga “edukimi”.

Kosova duhet t’i shikojë vendet demokratike, jo ato komuniste.

PISA (the Programme for International Student Assessment) është një studim mbarëbotëror nga OECD (Organisation for Economic Co-operation and Development), që është organizatë ndërqeveritare, vendet anëtare të së cilës e përshkruajnë veten si të përkushtuar ndaj demokracisë, veçse, me ose pa vetëdije, duke i ranguar vendet komuniste në krye të listës së PISA-së, promovon edukimin sipas metodave të shteteve diktatoriale.

(Parantezë: Fundja, nëse Filipinet, që lëshojnë edhe raketa kozmike në hapësirë, janë pas nesh në Shkencë dhe Matematikë, nuk kemi pse të shqetësohemi. Ne prej fillimit kemi qenë brenda shtatëdhjetëshes, pra nga 71-76, ndërsa Shqipëria, e cila në vitin 2000 ka qenë në vendin 33, tash është në vendin 65).

Mos i merrni seriozisht këto programet ranguese! Janë si festivali i këngës Eurovision, për të cilin këngëtarët më të mirë as që duan të dëgjojnë, jo më të marrin pjesë.

Prandaj, nisjani e mësoni, e lëreni Kinën le të garojë me Singaporin, se po nisëm t’i ngjajmë Kinës, mjerë nxënësit e mjerë populli.

Në PISA garojnë 15-vjeçarët. Në garat e fundit në PISA (viti 2022, që u publikuan tani) shteti ynë ende nuk i kishte 15 vjet. Ishte më e ri se nxënësit e vet. Prandaj, mos e bëni të madhe!

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nuk ka faj për nxënësit që ishin më të vjetër se shteti. Ajo ka faj që s’krijon filtra të brendshëm vlerësimi, dhe kështu, paradoksalisht, ajo nxit nxënësit të garojnë me Kinën; kërkon që profesorët e saj të paguajnë qindra dhe mijëra euro për të botuar nëpër revista zhvatëse. Ministrja e Arsimit, e përkrahur nga njerëz që kurrë s’janë marrë me shkencë, pos me anketa dhe raporte; ministrja që s’i beson shtetit të vet dhe kuadrove të veta, nuk e meriton besimin e qytetarëve. Ministria e Arsimit, rrejdhimisht Qeveria e Kosovës, që s’krijon filtra të brendshëm vlerësimi, meriton mocion mosbesimi.

Pasi shkatërruan universitetin, duan ta shkatërrojnë edhe edukimin fillor. Një universitet, që më gjithë përpjekjet serioze, nuk arritën ta shkatërrojnë qeveritë e mëparshme, po e shkatërrojnë këta me maska shpëtimtarësh.

O të maskuar, cila është fytyra juaj e vërtetë?

A jeni idiotë, apo vetëm ju pëlqejnë idiotësitë që bëni?

Si mund të kërkoni nga albonologët të vlerësohen nga ata që jo vetëm se nuk e njohin gjuhën shqipe, por s’e njohin as letërsinë, as kulturën, as hartën e Kosovës. A kjo është Ministria jonë? A kjo është Qeveria që e kemi votuar?

Më thoni si mund të të vlerësojë dikush që është më poshtë se ti në një fushë të caktuar?

Çdokush e kupton që kjo është qesharake dhe tragjike, përveç ministres, rektorit dhe kësaj Qeverie.

Pasi i ofenduat profesorët, tash mendoni t’u hyni dajak fëmijëve dhe mësuesve. Ju lumtë! Rroftë republika popullore që po vjen! Nuk e paskam ditur që ju ka marrë malli kaq shumë për të.

Kam menduar se e dini që edukimi është proces që nuk merr fund sa të jemi gjallë, aq më pak në moshën 15-vjeçare, dhe se për të garuar është vrapimi, jo edukimi. Dijeni se çdo nxënës që nuk pranon të garojë, ka vendosur të refuzojë ta trajtojnë si kalë.

Prandaj, ftoj të gjithë nxënësit, që shteti i trajton si kuaj garues, dhe të gjithë mësimdhënësit, që shteti po ua tregon dhëmbët, të durojnë deri më 1 janar.

Diktatura po vjen. Ndaleni, ose ikëm!/KultPlus.com

Të ngjajshme