15 Gusht, 2025 - 11:30 am
Ardon Jashari, ylli shqiptar i futbollit, së fundmi është transferuar në ekipin e Milanit, ku edhe ka qenë pjesë e një konference për shtyp.
Në mesin e diskutimeve, Jashari u pyet nga gazetarët për Granit Xhakën dhe ndikimin që ai ka pasur në formimin e mentalitetit të tij fitues, duke pasur parasysh se, përveç pasionit për futboll, ata ndajnë edhe rrënjët shqiptare.
“Xhaka e ka një karakter të fortë dhe është edhe lojtar i madh. Kam mësuar shumë nga ai. Ne jemi rritur njëjtë, ne e kemi këtë mentalitet fituesi, këtë vendosmëri dhe një zjarr brenda vetes. Ne gjithmonë japim gjithçka nga vetja, e kemi atë ‘grintën’ brenda. Kur jemi në fushën e futbollit, duam të fitojmë gjithmonë. Unë dua të kontribuoj dhe ta transmetoj ‘zjarrin’ tim tek ekipi. Shpesh, ekipi që i ka këto më shumë – fiton”, deklaroi 23 vjeçari.
Kjo deklaratë e Jasharit thekson mentalitetin e ngjashëm të të dy lojtarëve dhe mirënjohjen që kanë për njëri-tjetrin duke e parë si një nga ato vlera që vijnë nga rrënjët e një kombi. Kjo forcë shpirtërore, bashkë me pasionin e përbashkët, i bën ata më të fortë dhe më të vendosur në çdo sfidë./KultPlus.com