Arkeologjia nënujore, digjitalizim i trashëgimisë me metoda moderne

6 Qershor, 2025 - 5:30 pm

Përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe institucionet e trashëgimisë kulturore morën pjesë në një trajnim rajonal në Ulqin, mbi arkeologjinë nënujore dhe digjitalizimin e trashëgimisë me metoda moderne.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjete sociale momente nga ky trajnim si dhe mesazhet nga disa prej specialistëve pjesëmarrës në këtë takim.

Gonxhja e cilësoi me rëndësi procesin e dokumentimit dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nënujore të vendit tonë.

“Nga fotogrametria te simulimet në zhytje, kjo përvojë rriti kapacitetet tona për ruajtjen dhe promovimin e thesareve nënujore, duke forcuar bashkëpunimin Shqipëri–Mal i Zi–Kroaci”, u shpreh Gonxhja.

Sipas tij, trashëgimia kulturore, edhe nën ujë, meriton dritën e vëmendjes si asete të turizmit.

Një nga specialistët pjesëmarrës në këtë trajnim, Sabian Hasani e vleresoi pozitiv bashkëpunimin mes vendeve ballkanike për një qëllim të përbashkët.

“Nga ana teknike eksperienca me fotogametrinë do të jetë një ndihmë e madhe për të gjithë, për ata që nuk kanë eksperiencë, për ata që kanë më pak eksperiencë, ashtu si unë që nuk kam bërë kurrë arkieologji nënujore e cila është një pikëpamje krejt ndryshe, pra do të jetë një ndihmë shumë e madhe”, tha ai.

Hasani u shpreh se, “veçanërisht për arkeologjinë nënujore, them se është një fushë e pazhvilluar mirë në këtë pjesë të botës dhe është mirë të nisim përpjekjet bashkëpunuese që të gjithë të jemi në harmoni”.

Frenk Peza, specialist në Agjencinë Kombëtare të Turizmit, e sheh këtë trajnim si një ekspericë pozitive, që gjithashtu siç theksoi ai, “tregon se si vende të ndryshme e trajtojnë sipas mënyrës së tyre mbrojtjen e trashëgimitë kulturore”.

Sipas tij, edhe pse Kroacia është shumë më e avancuar, se homologët tanë rajonalë, mënyra sesi afrohen dhe duan ta tregojnë, të mësojnë studentët dhe njerëzit që janë pjesë e institucioneve, është shumë interesante dhe na bën të mendojmë sipas mënyrës së tyre.

Ndërsa Blerina Toci, një tjetër e pranishme në trajnim tha se, “kjo është një nga gjërat më të rëndësishme, për të parë drejt të ardhmes, për ne njerëzit që punojmë me entitete kulturore, duke parë edhe nga e kaluara. Është me rëndësi të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, se si funksionojmë ne në vendin tonë, në Kroaci dhe në Malin e Zi, për të gjetur pikat e dobëta dhe të forta dhe të punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë”.

Andrea Pambuku, vuri në dukje se, “ky takim shërbeu si një eksperiencë për të mësuar se si të ruajmë arkielogjinë nënujore dhe si mund të krijojmë vende të reja për turizëm dhe kulturë. Gjithashtu të mbrojmë vendet nënujore ku është e nevojshme, duke qenë se jemi të rinj në këtë fushë”.

Elisabeta Mosho theksoi se, eksperieanca e përfituar në këtë trajnim do t’i shërbejë për njohuri më të mira në dokumentet 3D, si proces shumë i rëndësishëm për mbrojtjen e trashigimisë kulturore./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme