Arkivi i Marubëve, pjesë e Regjistrit të Kujtesës Botërore të UNESCO-s

19 Gusht, 2025 - 11:00 pm

Më 19 gusht, në Ditën Botërore të Fotografisë, Shqipëria ka marrë një njohje të rëndësishme ndërkombëtare: arkivi i negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubit, që ruhet në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, është përfshirë në Regjistrin e Kujtesës Botërore të UNESCO-s.

Ky vlerësim e ngre më lart trashëgiminë vizuale dhe kulturore të vendit, duke e renditur fotografinë e Marubëve përkrah disa prej dokumenteve më të çmuara të historisë botërore.

Muzeu “Marubi” theksoi se kjo është një njohje historike jo vetëm për artin e fotografisë shqiptare, por edhe për kujtesën e shoqërisë sonë, pasi shkrepjet e Marubëve mbajnë gjurmë të pazëvendësueshme të jetës, historisë dhe identitetit kombëtar.

UNESCO publikoi listën e 74 objekteve të reja të trashëgimisë dokumentare të përfshira në Regjistrin Ndërkombëtar të Memorisë së Botës për vitin 2025, ku tashmë gjendet edhe pasuria e arkivit Marubi.

Ky moment përkon me Ditën Botërore të Fotografisë, duke e bërë këtë përvjetor një ditë të veçantë për Shqipërinë dhe kulturën e saj./KultPlus.com

Të ngjajshme