Artan Fuga: Nga ditari i dytë i Ana Frankut

22 Mars, 2020 - 7:00 pm

Shkruan Artan Fuga: Nga ditari i dytë i Ana Frankut
———————-
Nuk e mendoja se do të më duhej ta rihapja fletoren time të vjetër dhe ta vazhdoja atë ditar që e lashë të pambaruar atë vit të largët 42. Kujtova, sapo erdhën SS për të na marrë se askush nuk do ta gjente më atë. Por, ai u bë i njohur në të gjithë botën.

Përsëri e mbyllur. Thonë ka mësyrë një armik i egër që nuk gjurmon dhe vdes vetëm ne hebrenjtë, por të gjithë njerëzit.Të gjitha vajzat dhe djemtë e moshës sime janë mbyllur nëpër shtëpi. Prindërit nuk dalin më jashtë. As ne nuk na lejojnë të dalim.

Mbi të gjitha nuk na lejojnë t’u afrohemi, të na vijnë për vizitë ose të shkëmbehemi me njerëz të tjerë.

Të jenë ribërë të gjithë spiuna vallë si atëhere kur na kallzonin te Gestapo-ja?

Cfarë të keqe mund të na bëjnë ata që u fshihemi? Cfarë duan të na marrin?

Nuk e kuptoj dot sepse sapo jam zgjuar nga një gjumë disadekadash, por diçka ndodh me të gjithë. Mua më pengojnë të dal te luaj në oborr. Shkolla është mbyllur. Më mungojnë shokët dhe shoqet.

Dëgjova babanë që tha : “Mjafton njeri të kapet dhe rrezikohemi të gjithe!”. Kush të na kapi? Ku do të na çojnë? Cfarë torturash do të na bëjnë?

“Mos tako asnjeri, bëj sikur nuk i sheh! ” – i tha mamit kur ajo shkoi të blinte ujë!

Kanë ardhur ditë të këqia. Njerëzit janë bërë të ftohtë me njeri tjetrin. Bëjnë sikur nuk e njohin njeri tjetrin. As dorën nuk e japin, as puthen më në faqe kur shihen. Dikush i vrojton për të parë se kush lidhet me kë!

Habitem sepse dhe në shtëpinë tonë ka hyrë një ftohtësi e madhe mes nesh. Askush nuk më puth më, nuk më kreh flokët, nuk më afrohet. Secili ka pjatën e vet, gotën e vet, pirunin dhe lugën e vet!

Pse kanë frikë nga unë? E vetmja që më afrohet është macja ime Kula! Nuk e mendoja që një ditë ajo do të më mbetej e vetmja që do të më jepte pak ngrohtësi. Ah sikur të isha mace edhe unë!!!

Gjyshi ka mbetur vetëm në shtëpinë e tij disa lagje më tutje: “Mos ja zgjat shumë – dëgjova mamin që i tha babit – foli me skype, por të mos vijë këtu!”

Pse është bërë kaq mizore? Dikur ne fshiheshim bashkë nga nazistët, kurse tani secilli për vete!

Po e mbyll për sot, ora e shtetrrethimit po afron. Në rrugën që shoh nga dritarja e dhomës nuk qarkullojnë veçse autoblinda!

Komshija e katit të tretë kërkoi kripë në telefon. “Po ta le te parvazi i shkallës! ” i tha mami. “Jo, jo, nuk do të takohemi! Ti hajde merre pasi të iki unë!”

Diçka po ndodh, ta shoh në ditët në vazhdim si do të vazhdojë jeta ime

Të ngjajshme