Arti dhe kultura promovuan vendin edhe në kohë pandemie, institucionet qëndrojnë indiferente

10 Shtator, 2020 - 11:20 am

Tanimë nuk ishin hapësirat vendtakimet e njerëzve, qofshin ato të hapura apo të mbyllura. Aktivitetet kulturore e artistike të ndikuara nga pandemia, kaluan në formatin digjital. Mos mbajtja e aktiviteteve kulturore ka sjell shumë pasoja për artistët të cilët ende sot vazhdojnë të presin për një rifillim të jetës së tyre artistike në mënyrën qysh e kanë praktikuar gjithmonë, shkruan KultPlus.

E pikërisht kjo çështje është kthyer në temë nga Europe House Kosovo të cilët organizuan një panel diskutimit.

‘’Në kohë të pandemisë: ndikimi në artin dhe kulturën në Kosovë’’ bëri bashkë në një ekran 4 panelistë të cilët diskutuan për kompleksitetin e kulturës dhe ndryshimet që ajo ka pësuar nga Coronavirusi. Për këtë diskutim, duhej patjetër përzgjedhja e individëve të cilët vet janë pjesëtar të komunitetit artistik si dhe ata të cilët krijojnë politika udhëheqëse të kulturës vendore.

Europe House Kosovo në këtë diskutim mbi kulturën kishte panelistë: piktoren Zake Prevlukaj, pjesëtarin e projektit ‘’Kultura për Ndryshim’’ Arif Muharremin, zëvendësministrin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit Engelbert Zefajn dhe regjisoren Zana Hoxhën. Diskutimi nisi nën moderimin e mrekullueshëm të Arbër Selmanit dhe u transmetua në faqen e European House Kosovo në Facebook.

Tema e parë e cila i bashkoj në diskutim folësit u bë pandemia. Arif Muharremi duke qenë panelisti i parë filloj duke shpjeguar se periudha në të cilën ndodhemi është një krizë dhe si e tillë kjo është një prodhuese e frikës.

‘’Kjo krizë e ka kapluar edhe skenën e pavarur kulturore të Kosovës, e cila për 20 vite me radhë ka kontribuar në luftimin dhe zvogëlimin e frikës te popullata jonë’’, u shpreh Muharremi.

Pjesëtari i Qendrës Multimedia, Arif Muharremi beson se pavarësisht pse pjesëtarët e skenës kulturore kanë bërë mjaftueshëm për promovimin e vendit, ata nuk kanë gjetur adresim të nevojave të tyre te institucionet relevante.

‘’Përveç që denjësisht skena kulturore e ka përfaqësuar Republikën tonë jashtë vendit për më shumë se 20 vite, merita e saj është që e ka promovuar atë që iu është dashtë dhe iu duhet ende shtetit tonë për të implementuar më shumë proceset e shtetndërtimit si demokracinë, përgjegjësinë, shoqërinë aktive’’, thekson tutje pjesëtari i projektit ‘’Kultura për ndryshim’’.

Muharremi tregoj për aktivitetet e Qendrës Multimedia përgjatë pandemisë duke përfshirë: shënimin e ditës ndërkombëtare të librit, pjesëmarrjen në programet dhe kalendarin teatror të Kosovës, dhurimin e librave në bibliotekat komunale, bisedat me njerëz të kulturës, etj.

Me mbylljen e institucioneve kulturore u pezulluan shumica e aktivitete që zhvilloheshin në kuadër të tyre. As Teatri nuk i rezistoj pandeminë. Që nga mbyllja e tërësishme e deri në qershor, shikuesit mbetën pa shfaqje. Transmetimi i shfaqjeve që nga 12 qershori bëri që publiku të përballet me një ‘’teatër digjital’’. Mirëpo, edhe sot e kësaj dite dyert e këtij institucioni kulturor qëndrojnë të mbyllura. Për t’i ndarë përvojat e saja profesionale e kulturore diskutimit iu bashkua regjisorja Zana Hoxha. Ajo rrëfeu se si pandemia ndikoj në ndërprerjen e një projekti teatror një javë para shfaqjes së saj te publiku, në të cilën punonin një ekipë prej 30 personash.

‘’Ishte me të vërtetë një situatë sfiduese sepse kemi pritur një drejtim, një lehtësim më të madh të tërë procesit nga ana e institucioneve tona’’, theksoj regjisorja Hoxha.

Mirëpo, digjitalizimi i cili ka bashkuar botën për komunikim ditor, kësaj radhe kreu këtë funksion edhe për komunikim kulturor. Projekti i cili iu ndërpre Zanës, u shfaq në formën online më 12 qershor, pikërisht në ditën e çlirimit të Prishtinës. Ajo vlerëson se ka qenë e domosdoshme për të si regjisore shfaqja e saj te publiku, aq më shumë kur artistët e pavarur këtë e shihnin si një ‘’fije shpëtimi të një përkrahje financiare’’.

‘’Vendosëm që ta japim premierën për shkak që e vetmja mënyrë që institucionet tona të paguajnë artistët ka qenë që të shfaqet vepra, për dallim prej shumë vendeve të Bashkimit Evropian ku ka mjaftuar paraqitja e kontratës, fillimi i procesit ose edhe mos fillimi i procesit’’, thotë regjisorja Hoxha.

Derisa flet për teatrin, Zana tregon se buxheti i Teatrit Kombëtar të Kosovës ka mbetur 80% i parealizuar, teatrot lokale i vlerëson se janë në një hap të mirë për shkak që tani secila kanë krijuar ansamblet e veta, por që e sheh problematike mungesën buxhetore që ndikon drejtpërdrejtë në proceset e krijimit të shfaqjeve.

‘’Unë mendoj që kemi mundësi, kapacitete e sisteme teatrore që të mbajmë shfaqje ose ngjarje të hapura në hapësira publike siç është duke ndodhur tash në Maqedoni, në Shqipëri e Serbi’’, vlerëson kontributdhënësja e Teatrit. Zana njëherit është edhe drejtoreshë e Festivalit ‘FemArt’, i cili promovon gratë dhe vajzat nëpërmjet artit. Këtë vit ky festivali vie i përqendruar në rrafshin vendor, duke anuluar planet ndërkombëtare të cilat përfshijnë udhëtimet, ushqimet, akomodimet; në mënyrë që ky buxhet të ndahet si pagesa për artistët vendor krijues.

‘’Ky buxhet do të shkoj në pagesa për artistët tanë dhe do të krijojmë vepra të reja, të cilat jo domosdoshmërisht e adresojnë çështjen e Covidit, por e adresojnë nevojën e artit dhe krijimtarinë e artistëve tanë’’, shprehet drejtoresha e FemArtit. Sipas regjisores Hoxha, iniciativat artistike online si teatrot, koncertet, ekspozitat ishin të duhura mirëpo tanimë duhet të mësohemi të jetojmë me Covidin pa hequr dorë nga identiteti jonë kulturor.

‘’Nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm të një shoqërie nëse nuk ka kulturë dhe nëse nuk ka zhvillim të industrisë kreative që vjen bashkë me kulturën’’, thekson Zana Hoxha.

Nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport ishte i pranishëm zëvendësministri Engelbert Zekaj, për të shpalosur politikat institucionale për kulturë. Gjatë diskutimit u përmend fondi emergjent 5 milionësh, që sipas Zekajt është pamundësuar shpërndarja e deritanishme e saj për shkak të ngjarjeve politike në vend.

‘’Ky 5 milionësh do të shpërndahet në pjesën e mbetur të vitit, për tre katër muajt që i kemi në dispozicion deri në fund të dhjetorit’’, shton tutje zëvendësministri i MKRS-së, Engelbert Zekaj. Përveç kësaj, Zekaj informoj publikun se në thirrjen e hapur në janar për subvencione nga MKRS kanë aplikuar mbi 700 organizata, 480 prej të cilave kanë fituar projekte dhe 312 si organizata jo-qeveritare dhe 168 persona si krijues artistik.

Tutje ai tregoj se pritet një fond emergjent edhe për vitin e ardhshëm.

‘’Kurse për vitin e ardhshëm planifikohet një buxhet poashtu ndihmës, jo i subvencioneve sepse janë të ndara subvencionet me planin e rimëkëmbjes’’, u shpreh Zekaj.

Piktorja Zake Prelvukaj si përfaqësuese e Galerisë Kombëtare të Kosovës tregoj mbi përvojën e këtij institucioni kulturor i cili u detyrua të bëj shtyrjen dhe anulimin e ekspozitave, kryesisht atyre ndërkombëtare. Pavarësisht mundit të tyre për shfaqjen e ekspozitave online, disa kanë qenë të pamundura për shkak të kompleksitetit që kishin.

‘’Ajo ekspozitë në mënyrë virtuale nuk ka qenë e plotësuar, se në vend të prezantimit të 5 ose 6 punimeve, ne kemi shkuar me 1 ose 2 punime dhe ajo s’ka qenë ai plotësimi fizik, optik që e shikon aty për aty’’, shpjegon anëtarja e kryesisë së bordit të GKK-së për anulimet e ekspozitave nga artistë të huaj.

Prelvukaj duke qenë ligjëruese në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, thekson se mësimi virtual në pikturë nuk ishte i lehtë por që ka pasur edhe përparësitë e veta:

‘’Kemi sjell diçka prej studentëve që në kushte normale nuk do të mund t’i kishim ato motive, njëfarë mbrojtje, stimulimi, ringjallje e vetëdijes sonë’’, tregon ligjëruesja Prelvukaj. Ndërkaq përveç aspektit akademik, pandemia sipas saj ka pasur anët pozitive edhe te artistët, të cilët gjatë kësaj kohe kanë hulumtuar e gjetur shumëçka nga vetja.

‘’Kjo periudhë na ka vetëdijesuar që të japim mesazhe të ndryshme, që të duhemi më shumë, të bashkëpunojmë më shumë dhe që arti të mos jetë individual, por të jetë shoqëror’’, thekson krejt për fund artistja Prelvukaj. / Medina Pasoma/ KultPlus.com

Të ngjajshme