Artistët presin ndihmën e shtetit, MKRS-ja sërish premton 5 milionë euro

24 Qershor, 2020 - 11:30 pm

Janë bërë gati katër muaj prej kur ngjarjet kulturore janë pezulluar shkaku i pandemisë. Pavarësisht premtimeve, Qeveria ka dështuar që ta ndihmojë skenën e pavarur kulturore. Kjo kategori varet kryesisht nga projektet artistike. Situata e shkaktuar nga koronavirusi e ka rënduar gjendjen e komunitetit kulturor.

Si punë e kryer ishte paraqitur në mars të këtij viti ndarja e pesë milionëve për kulturë e sport në kuadër të Fondit emergjent. Por gjithçka ka ngelur veç premtim. Tash ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, është zotuar se janë siguruar 5 milionë euro për atë që quhet Pako e rimëkëmbjes. Ka thënë se “ky është lajmi i vërtetë”. Por artistët zor të binden edhe kësaj radhe. Kërkojnë ndërhyrje urgjente nga shteti.

Nita Zeqiri, që udhëheq me Fondacionin 17, thotë se pandemia ka rënduar gjendjen e komunitetit artistik.

Sipas saj, nëse Qeveria bën ndonjë hap konkret për ta ndihmuar këtë sektor, do të ishte një lajm shumë i mirë.

Donjetë Murati, që është hulumtuese, bashkë me grupet e artistëve të pavarur disa herë kanë kërkuar llogari nga Ministria e Kulturës sa i përket Fondit emergjent, përderisa tash jepet tjetër premtim. Ajo thotë se është dashur të paktën të ketë një sqarim zyrtar se përse nuk janë realizuar premtimet. Si grup janë të zhgënjyer me shtetin.

Murati bashkë me kolegë presin që dy artistë të pavarur të jenë pjesë e grupit punues në Ministri. Pritet që ky grup të hartojë kriteret e financimit të skenës së pavarur në kohë pandemie.

Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, të martën, në Kuvend, ka thënë se institucioni që ajo udhëheq ka dërguar komentet për rishikimin e buxhetit. Është thirrur në premtimet e kryeministrit Avdullah Hoti se kultura, rinia e sporti do të ndihmohen me 5 milion euro.

Me rishikimin e buxhetit të miratuar në Qeveri javën e kaluar, Ministrisë së Kulturës i është projektuar zbritja e buxhetit për 6 milionë euro. Nga 44,1 milionë euro është bërë 38,2 milionë euro. Por 5 milionët ende nuk janë të sigurta. Kalimi i projektligjit në Kuvend dhe miratimi i marrëveshjeve të Qeverisë për huamarrje janë hapat që duhet të bëhen. Në Kuvend të martën nuk kanë kaluar 5 marrëveshje ndërkombëtare. Koha.net / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme