Artpolis shënon 20 vjetorin me “Poezi për Fuqi – Çdo Ditë është 8 Mars”

9 Mars, 2024 - 10:14 am

Më 6 mars, 2024 Artpolis shënoi dy dekada të artit dhe aktivizmit feminist përmes mbrëmjes poetike “Poezi për Fuqi –Çdo Ditë është 8 Mars”, që përmes poezisë, këngëve kabare, dansit, panele të diskutimit dhe video kolazhit përçoi mesazhe për paqe e barazi në gjuhë të ndryshme: shqip, anglisht, serbisht, spanjisht, frëngjisht, boshnjakisht dhe italisht. 

Me poezi feministe të poeteve/ëve të shquar vendorë dhe ndërkombëtarë u bë thirrje për fuqizim dhe solidaritet me gratë në Kosovë, Ukrainë, Palestinë e kudo tjetër në botë ku luftërat e shtypja e patriarkatit vazhdojnë të vrasin gratë. 

Festa nisi me një video kolazh që përthekonte 20 vjet të punës së Artpolis – nga shfaqjet profesionale, 11 edicione të Festivalit FemArt, angazhimin për edukimin e të rinjve dhe të rejave përmes teatrit, e deri tek fuqizimi e vajzave dhe grave me trajnime, marshe, protesta dhe punëtori – duke rikthyer kështu çaste të artisteve dhe aktivisteve që ishin pjesë e këtij rrugëtimi të mbushur me gëzime, sfida e suksese në ndryshimet pozitive shoqërore. 

E mbushur me emocione dhe nostalgji themeluesja dhe drejtorja ekzekutive e Artpolis, Zana Hoxha, e cila e moderoi këtë mbrëmje, ndau me të pranishmit hapat e parë të organizatës, teksa ka falënderuar të gjitha gratë, artistet/ët dhe aktivistet/ët që kanë dhënë kontribut në rritjen e Artpolis. 

“Rezisto, Inspiro, Krijo” është motoja që e ka përcjellur dhe i ka dhënë shtytje Hoxhës përgjatë dy dekadave të angazhimit aktivist dhe artistik. 

Ngjarja pasoi me performancën e korit të fëmijëve “Okarina” nën drejtimin e Elikona Hysaj, të cilët interpretuan veprën e kompozitorit Ylber Asllanaj “Lulet Marsit”, duke i bërë homazh fëmijëve të Familjes Jashari të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Korit iu bashkua edhe aktorja e Artpolis, Blerta Gubetini që interpretoi poezinë “Shëmtia e Luftës” nga Linda King. 

Pasuan poezitë e mysafires speciale të kësaj mbrëmje, Vjollca Bajraj dhe diskutimi me të. Poezia e saj “Mëngjeset e mia janë të dhimbshme” erdhi nën interpretimin e aktores së Ansamblit të Artpolis, Qendresa Kajtazi. 

Ajo shpalosi momente nga jeta e saj, lidhjen me artin e poezinë, dhe jetën pas vdekjes së poetit dhe bashkëshortit të saj, Xhevdet Bajraj. 

“Kam filluar të shkruaj poezi 3-4 muaj pas vdekjes së Xhevdetit (2022). Shkrimi i poezisë ka qenë një formë për ta ngushëlluar veten”, ka thënë Vjollca Bajraj, që ka treguar edhe si është përzgjedhur për të luajtur në filmin “El actor Principal” , me regji të Paula Markovitch, edhe pse nuk është aktore me profesion. Ajo interpretoi poezi në shqip dhe spanjisht, ndër to edhe poezitë “Përqafim Gruaje” dhe “Grua”. 

Mbrëmja u pasurua edhe me poezitë dhe interpretimet e poetëve dhe artistëve/aktivistëve të tjerë: Nora Prekazi, Gili Hoxhaj, Mila Mihajlovic, Xhejlane Tërbunja, Aurita Agushi, Meli Qena, Donato Giuliani, dhe Ivana Bilić. 

Festimi i 20  vjetorit të Artpolis u shënua edhe me poezi e këngë kabare nga Ansambli i Artpolis, të riaranzhuara nga kompozitori Liburn Jupolli, i cili performoi edhe në piano, kurse në bas kitarë luajti Yllka Simnica, e në tupana Granit Havolli. Ansambli i Artpolis solli edhe disa pika të dansit me koreografi të Robert Nuhës. 

Ky aktivitet u mbështet nga Frieda, kurse sponsorë ishin Vidasus, Syrrush, Red Bull Kosova dhe Theranda. / KultPlus.com

Të ngjajshme