AShSh marrëveshje bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave Bullgare

30 Tetor, 2023 - 10:40 pm

Një delegacion i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë i kryesuar nga kryetari i saj akademik Skënder Gjinushi, dhe anëtarë të tjerë të ASHSH, akad. Anastas Angjeli, akad. Ilia Mikerezi, si dhe shefi i marrëdhënieve me jashtë, dr. Dorian Koçi, po zhvillon një vizitë zyrtare në Akademinë e Shkencave të Bullgarisë, në Sofje.

Delegacioni u prit nga kryetari i Akademisë së Shkencave të Bullgarisë, akad. Julian Revalski dhe anëtarë të tjerë të kryesisë së kësaj akademie.

Vizita u bë në kuadër të nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) me Akademinë e Shkencave të Bullgarisë (ASHB), në kuadër të bashkëpunimit dypalësh në kërkim shkencor dhe teknik.

Marrëveshja u nënshkrua nga akad. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Kryetari i Akademisë së Shkencave të Bullgarisë, akademik Julian Revalski.

Akad. Gjinushi shprehu kënaqësinë që lidhja e kësaj marrëveshjeje do të nxisë bashkëpunimet në kuadër të programeve e projekteve europiane. Më tej akad. Gjinushi theksoi se bashkëpunimet do të jenë në albanologji, ballkanistikë, për kërkimet në shkencat gjuhësore, studimet letrare, historike, në arkeologji, por edhe në shkencat natyrore e teknike, ku përparësi do të ketë shkëmbimi i eksperiencave në nanoshkencë e bioteknologji, si dhe shkencat e bujqësisë, mjekësisë, e më gjerë.

Më tej akad. Julian Revalski falënderoi akad. Gjinushin për lidhjen e kësaj marrëveshjeje dhe shprehu kënaqësinë që të dyja palët do të bëjnë përpjekje të përbashkëta për identifikimin e mundësive për financime, për kërkime dhe projekte lidhur me këto programe dhe bashkëpunojnë në kuadër të tyre për projektet të përbashkëta dhe përmes formave të tjera të bashkëpunimit dhe shkëmbimit.

Akad. Skënder Gjinushi theksoi se kemi një bashkëpunim historik të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me Akademinë e Shkencave të Bullgarisë, ku është edhe katedra e albanologjisë, dhe theksoi se arritja e kësaj marrëveshjeje synon të sanksionojë këto praktika të bashkëpunimit  dhe ta zgjerojë më tej me bashkëpunimin shkencor e teknik ndërmjet instituteve dhe qendrave kërkimore bullgare dhe shqiptare të angazhuara në veprimtari kërkimi shkencor dhe formimi.

Kjo marrëveshje  synon gjithashtu edhe projekte kërkimore të përbashkëta, seminare, simpoziume, tryeza të rrumbullakëta, mbledhje, konferenca ndërkombëtare e aktivitete të tjera shkencore dy e shumëpalëshe të përbashkëta; shkëmbim kërkuesish individualisht me qëllim kryerjen e punimeve shkencore; shkëmbimin e informacionit lidhur me veprimtaritë e kërkimit në zbatim e sipër; zbatimin e metodave të reja të kërkimit; mbajtjen e leksioneve; krijimin e kontakteve të reja shkencore për zhvillimin e projekteve të përbashkëta, pjesëmarrjen në aktivitete shkencore;

Marrëveshja do të zbatohet duke lënë hapësirat për zgjerimin dhe shtimin e aktiviteteve gjatë punës së përbashkët të të dyja akademive./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme