ASK: Deri më tani janë regjistruar mbi 207 mijë qytetarë, ka interesim edhe nga serbët

15 Prill, 2024 - 12:03 pm

Agjencia e Statistikave të Kosovës, ka njoftuar se gjatë 10 ditëve qëkur ka nisur procesi janë regjistruar 207 mijë e 462 qytetarë  dhe mbi 50 mijë e 888 banorë jorezidentë (që jetojnë jashtë vendit).

Në prezantimin e bërë, deri më tani gjithsej 112 mijë e 390 intervista, duke shtuar se ka interesim të të gjitha grupeve etnike për të marrë pjesë në regjistrim.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të ASK-së Avni Kastrati, tha se edhe përkundër presionit të Listës Serbe, ka pjesëmarrje edhe nga komuniteti serb që jetojnë në veri.

“Për mospjesëmarrje në regjistrim, ka pasur një thirrje publike nga komuniteti serbë, nga Lista Serbe, ne kemi bërë vet përpjekje dhe jemi në vazhdimësi duke bërë përpjekje, këto ditë që kanë kaluar kemi pjesëmarrje edhe të komunitetit serbë edhe nga komunat veriore, kemi persona të regjistruar vullnetarisht përkundër që kanë pasur disa sfida. Ne mendojmë që ditëve në vijim një pjesë e madhe e tyre do të jetë pjesë e regjistrimit sepse jemi duke bashkëpunuar edhe me komunat edhe me institucionet tjera, presim. Një pjesë e komunitetit nga komunat veriore tashmë është duke u regjistruar”, ka deklaruar ai.

Procesi i regjistrimit të popullsisë ka nisur më 5 prill dhe do të zgjasë deri më 17 maj.

Drejtuesit e ASK-së, për çdo javë deri në përfundim do të mbajnë konferencë për media për të njoftuar rreth ecurisë së këtij procesi/ Klankosova.tv/KultPlus.com

Të ngjajshme