‘Atdheu im është në qiell” nga Tonin Nikolli, prezanohet të hënën në KultPlus Caffe Gallery

13 Gusht, 2021 - 10:22 pm

Të hënën, më 16 gusht në orën 12:00, në KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë, bëhet prezantimi i librit më të ri të poetit nga Lezha që jeton në Verona të Italisë, Tonin Nikollit, me titull “Atdheu im është në qiell”.

Tonin Nikolli është autor i disa veprave poetike. Në librin më të ri autori merr në vështrimin poetik çështje të atdheut dhe të rrënjëve; të rrjedhës jetësore dhe të fatit të poetit e të njeriut të tij.

Për librin “Atdheu im është në qiell” do të flasin Agim Gjakova, Ajete Zogaj, Sabit Rrustemi si botues dhe Anton Nikë Berisha, redaktor i librit dhe hartues i parathënies.

Në parathënien, që i prin librit më të ri të poetit Nikolli, thuhet:

 “Përmbledhja me poezi “Atdheu im është në qiell” e Tonin Nikollit, që vjen pas librit “Gjashtëdhjetë kambana të reja” (Prishtinë 2020), është një vijimësi e shqiptimit të dukurive të ndryshme të njeriut e të botës së poetit. Ajo dëshmon se autori vazhdon ta pasurojë në mënyra të ndryshme sistemin e të shprehurit poetik. Pjesën më të madhe dhe më cilësore të këtij libri e bëjnë poezitë e ndërtuara mbi parime metrike, po ato përligjin një të shprehurit të mirëfilltë modern letrar artistik. Autori vazhdon t’i bëjë objekt ato dukuri që lidhen me të e me botën në të cilën jeton, me atdheun dhe me rrënjët – me atë që e cilëson rrjedhën e jetës së tij e të njerëzve të tij, po njëherit që janë të rëndësishme (si të ngjashme) dhe për të tjerët. Autori niset nga e veçanta, nga vetja, për t’i dhënë mesazhit një përmasë sa të gjerë aq dhe të thellë poetike. Ai nuk i nënshtrohet ndonjë gjedhi (modeli) të caktuar krijues, po i kushton rëndësi gjuhës dhe të shprehurit figurativ, i cili e përcakton vlerën e secilës krijesë letrare. Të shprehurit e tij është i menduar, i pasur dhe modern; teksti përshkohet nga një varg simbolesh e metaforash, që kushtëzojnë komunikimin dhe ndikimin estetik të dukshëm në marrësin.”

Takimin do ta udhëheqë gazetarja, Vera Pelaj./KultPlus.com

Të ngjajshme