Athina ndërton kopshtin e parë japonez

11 Nëntor, 2021 - 5:30 pm

Qyteti i Athinës do të ketë kopshtin e parë japonez, i cili do të vendoset në parkun Nereidon, pranë Galerisë Kombëtare. Një ceremoni u mbajt sot për të hedhur gurin e themelit për projektin, pjesë e programit “Adopt Your City” të bashkisë së Athinës.

“Athina është një metropol modern dhe dinamik. Është një qytet i hapur, i hapur ndaj ideve të reja, i gatshëm për të ecur përpara me guxim dhe vendosmëri dhe një qytet jashtëzakonisht krenar për të kaluarën e tij të lavdishme si dhe për të tashmen e tij dinamike”, tha kryebashkiaku i Athinës, Kostas Bakoyannis.

Kopshti japonez i Athinës u krijua me mbështetjen e JT International Hellas nën kujdesin e ambasadës japoneze dhe është parku i parë tematik i qytetit.

Projekti përfshiu heqjen e 180 metra kub beton, bordura dhe rrënoja që ishin hedhur ilegalisht në kantier, shtimin e 350 metra kub tokë pjellore, krijimin e kodrave të vogla për të rritur sipërfaqen e shfrytëzueshme dhe mbjelljen e 50 pemë dhe 3000 shkurre. Kopshti u projektua nga Antonis Skordilis dhe Ecoscapes, të cilët gjithashtu bënë një studim për të instaluar ndriçimin e duhur.

Ambasadori japonez në Greqi, Yasunori Nakayama vuri në dukje se, “kopshtet japoneze janë një nga simbolet tradicionale kulturore dhe shpirtërore të Japonisë dhe historia e tyre daton në shekullin e VI pas Krishtit.”./KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme