“Ati i kombit”, 179 vjet nga lindja e Ismail Qemalit, udhëheqësit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare

16 Janar, 2023 - 11:43 am

Më 16 janar 1844, lindi në Vlorë Ismail Qemal bej Vlora.

Ishte pasardhës i njërës prej familjeve më të mëdha të Shqipërisë së Jugut. Pati qenë nëpunës i Perandorisë Osmane, deputet i Parlamentit Osman, e më pas nënshkrues i Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe i pari Kryeministër i Shqipërisë në periudhën 28 nentor 1912 deri me 22 janar 1914.

Ai lindi në Vlorë në vitin 1844, dhe ishte djali i Mahmut Nedim beut. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes. Më mbas vazhdoi në shkollën e mesme “Zosime” në Janinë, ku mësoi greqishten e vjetër, latinisht dhe frëngjisht. Në vitin 1860, vetëm kur ishte 16 vjeç, për shkak të gjuhëve që zotëronte, filloi të punonte në Zyrën e Përkthimeve të Portës së Lartë, në Stamboll. Deri në vitin 1900 Ismail Vlora punoi në detyra të ndryshme në administratën osmane, në Vilajetin e Janinës (1862), në Vilajetin e Danubit (1866-1876), në Filibe (1876), në Mardin 1883), në Bollu (1884-1889), në Bejrut (1889).

Në vitin 1900, kur ishte me detyrën e kajmekamit në Kesrije, për shkak të përndjekjes nga bashkëpunimi me xhonturqit dhe ideve për të arritur një organizim të shqiptarëve, la detyrën, u arratis për në Greqi dhe nga aty kaloi në Evropë. Në gjyqin që iu bë në mungesë u dënua me vdekje.

Në vitin 1902 Ismail Qemali mori pjesë në kongresin e xhonturqve që u organizua nën drejtimin e princit Sabahedin dhe Lutfullahut, në Paris. Vetëm mbas rishpalljes së Kushtetutës (1908) Ismail Qemali u kthye nga Evropa. Në zgjedhjet që u bënë mbas rishpalljes së Kushtetutës, Ismail Qemali u zgjodh deputet i Beratit dhe u bë pjesë e partisë opozitare “Osmanlı Ahrar Fırkası”.

Gjatë periudhës së kryengritjeve të shqiptarëve kundër dhunës së ushtruar nga administrata e xhonturqve që ishin në qeveri, Ismail Qemali u mundua të siguronte mbështetje nga shtetet evropiane për të krijuar një administratë autonome brenda Perandorisë Osmane.

Ismail Qemal Bej Vlora udhëhoqi lëvizjen dhe mbledhjen që u mbajt në sarajet e familjes Vlora, ku më 28 nëntor 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe u zgjodh kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Më 22 janar 1914 Ismail Qemali dha dorëheqjen nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës, ia dorëzoi pushtetin Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe u nis bashkë me familjen për në Francë./ KultPlus.com

Të ngjajshme