2 Gusht, 2025 - 4:50 pm
Aura e Çikës plot hire
Pal Shtufi
Kaluan tri ditë që Prishtina është mbushur me njerëz të huaj e vendas, të cilët qarkullojnë rrugëve të saj dhe tërë Kosovës. Ecin vajza e djem të ri, duke u puthur pranë shtatoreve të Ibrahim Rugovës, Zahir Pajazitit dhe Nënës Terezë. Rini në elementin fantastik të saj. Rini, që kur sheh harenë e tyre, të vërshojnë lot gëzimi.
Prishtina ka festën e këngës. Prishtina ka festën e Çikës. Çika jonë është vetë festa! Është aura që rri pezull mbi qiellin e Prishtinës.
Dua Lipa është më shumë se këngëtare. Ajo është një formim ekselent i njeriut që ka respekt e dashuri për prindërit dhe atdheun e saj, të cilin e bartë gjithmonë me vete.
Dukagjinit, përbotshëm një falënderim – jo vetëm për mrekullinë e quajtur Dua, por më shumë për përkushtimin e tij për Prishtinën. Për mos-harresën. Për Sunny Hill-in, që po rritet e po bëhet gjithnjë e më i madh. Një atdhedashuri e pashembullt. Një largpamësi për t’u admiruar.
Dua, flutura jonë, tërë bekimet e Arbërisë rafshin mbi ty, hirësi!/KultPlus.com