Bajrami: Qendra e Studentëve në shërbim të parandalimit të përhapjes së COVID-19

8 Prill, 2020 - 6:14 pm

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami, ka treguar për menaxhimin e situatës së krijuar nga COVID-19 në objektet e Qendrës së Studentëve, shkruan KultPlus.

Bajrami, ka treguar specifikisht me numra se sa qytetarë kanë qëndruar aty si dhe njëherit ka shprehur mirënjohjen për punën e stafit.

“Uroj që edhe të tjerët që janë duke qëndruar ende në këtë qendër të rezultojnë negativ dhe sa më shpejtë të kthehen shëndosh e mirë në shtëpitë e tyre”, thuhet ndër të tjera në postimin e saj në Facebook.

Këtu keni stausin e saj të plotë:

“Qendra e Studentëve në shërbim të parandalimit të përhapjes së COVID-19

Në muajin e kaluar, me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Qendra e Studentëve, është vënë në shërbim të Ministrisë së Shëndetësisë për të shërbyer si karantinë për qytetarët tanë të kthyer nga vendet tjera. Si ministre e MAShTI-t e kam përkrahur këtë vendim duke ditur që kjo qendër plotëson kushtet e nevojshme për për t’u vënë në dispozicion të institucioneve të Republikës së Kosovës në përpjekjet për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID- 19.

Gjatë kësaj kohe, në objektet e Qendrës së Studentëve, kanë qëndruar rreth 500 qytetarë, shumica dërmuese e të cilëve, për fat të mirë, pas testimeve të bëra për COVID-19, kanë rezultuar negativ. Një pjesë e madhe e tyre tashmë u janë kthyer familjeve të tyre dhe po vazhdojnë izolimin 14 ditor në shtëpitë e tyre. Uroj që edhe të tjerët që janë duke qëndruar ende në këtë qendër të rezultojnë negativ dhe sa më shpejtë të kthehen shëndosh e mirë në shtëpitë e tyre.

Si ministre në detyrë e MAShTI-t, falënderoj përzemërsisht menaxhmentin e Qendrës së Studentëve, secilin punonjës, vullnetar dhe staf profesional mjeksor të angazhuar në këtë qendër për të ofruar përkujdesje dhe trajtim shumë njerëzor për të gjithë personat e vendosur në karantinë.

Për fund, u bëj thirrje të gjithëve që të respektoni rekomandimet e IKShPK dhe të qëndroni sa më shumë në shtëpitë tuaja. Në këtë mënyrë, ne i ndihmojmë mjekëve tanë që sa më lehtë të përballen me numrin e të infektuarëve me COVID-19″.

Të ngjajshme