Baleti Kombëtar i Kosovës me premierë në Itali, ‘Shtegtimi’ shtjellon fenomenin e migrimit të ndërthurur me motivet arbëreshe

3 Korrik, 2023 - 11:00 pm

Flonja Haxhaj

Baleti Kombëtar i Kosovës gjatë muajit korrik do të japë premierën e tretë për këtë vit. Shfaqja e titulluar “Shtegtimi”, do të jepet para publikut arbëresh në qytetet e Kalabrisë, San Benedetto, Villapiana dhe Altomonte në datat 13, 14 dhe 15 korrik. Kjo shfaqje është pjesë e Festivalit ndërkombëtar “Fini Dance Festival” dhe shënon edhe premierën e dytë që Baleti Kombëtar i Kosovës e jep në nivel ndërkombëtar, shkruan KultPlus.

Shfaqja “Shtegtimi” ka një tematikë të veçantë, migrimin, e kjo edhe do të shfaqet para publikut arbëresh, një popull ky që e ka ruajtur traditën e tyre shqiptare dhe i ka rezistuar dhe vazhdon t’i rezistojë kohës.

E kjo shfaqje vjen si bashkëpunim i Baletit Kombëtar të Kombëtar të Kosovës me koreografin arbëresh, Antonio Pio Fini. Përgjatë këtyre ditëve balerinët dhe koreografi kanë punuar bashkë për të përfeksionuar këtë shfaqje para premierës.

Shfaqja në vete prek motive arbëreshe ku përfshihen këngë të vjetra dhe të reja shqipe. Një moment i veçantë në shfaqje është përfshirja e këngës “Moj e bukura more”, një këngë arbëreshe që është një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të arbëreshëve. Përfshirja e këngëve të tjera shqiptare gjithashtu ka për qëllim të rrisë emocionin dhe të krijojë një lidhje të fortë me audiencën.

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, u shpreh për KultPlus se kjo është hera e dytë që BKK jep një premierë jashtë vendit dhe prapë në Itali, atje kur u prezantuan për herë të parë me një premierë në vitin 2014.

“Në festivalin ‘Fini Dance’, në këtë festival ndërkombëtar, kemi qenë të ftuar edhe në vitin 2013 me shfaqje jopremierë, me një shfaqje nga repertori ynë. Është një festival ndërkombëtar që mbahet në Kalabri të Italisë, në disa qytete dhe sigurisht se bashkëpunimin me koreografin Antonio Pio Fini i cili është po ashtu arbëresh e kemi ruajtur në vazhdimësi dhe e kemi kultivuar kështu që kemi ardhur prapë me ide që kësaj radhe të paraqitemi me një premierë edhe në vigjilje të 51-vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës. Ndërkaq, me këtë premierë, Baleti Kombëtar i Kosovës është i ftuar i nderit i festivalit”, u shpreh Kajtazi duke shtuar më tutje se meqë koreografi ka prekur motive arbëreshe në këtë shfaqje, ai beson se do të ngjallë emocione tek audienca.

Më tutje, Kajtazi u shpreh se pavarësisht ngarkesave që Baleti Kombëtar i Kosovës i ka pasur, pasi së fundi e dhanë premierën e shfaqjes ‘Fado’, megjithatë, puna me koreografin ka sjellë një rezultat shumë të frytshëm.

 “Ne sapo kemi përfunduar premierën e dytë ‘Fado’ dhe direkt kemi filluar punën për premierën e tretë ‘Shtegtimi’. Sigurisht se kjo agjendë e ngjeshur me premiera dhe prezantime ndërkombëtare është bukur një ngarkesë për balerinët tanë, marrë parasysh që baleti është art fizik, mirëpo përgjatë kësaj periudhe sa kanë punuar me koreografin Pio Fini, ka qenë një punë shumë e frytshme dhe praktikisht në një kohë ndoshta rekord kanë arritur që ta marrin të gjithë materialin”, tha mes tjerash Kajtazi duke shtuar se është një lloj para planifikimi që gjatë muajit tetor, kjo shfaqje të vijë edhe në Prishtinë.

Ndërkaq, koreografi Antonio Pio Fini, u shpreh i lumtur që është kthyer në Kosovë pas 10 vitesh dhe po punon më një trup balerinësh që i tani i sheh akoma më të rritur artistikisht.

“Kjo është mundësia ime e dytë që të punoj me Baletin Kombëtar të Kosovës, pas 10 viteve, dhe është e mrekullueshme të kthehem dhe të shoh se sa shumë ka ndryshuar qyteti dhe se si Baleti Kombëtar i Kosovës është rritur. Ne kemi shumë punë për të bërë në shumë pak kohë. Për herë të parë kur erdha këtu pasi zbulova rrënjët e mia arbëreshe, unë isha në 10 vite duke dëgjuar muzikë, dhe kjo punë e re quhet ‘Shtegtimi’, sikurse edhe zogjtë që fluturojnë në vende të tjera dhe është po ashtu edhe kur udhëton diku dhe e zbulon një kulturë të re por nuk e harron se nga vjen”, tha Pio Fini për KultPlus,

Më tutje, Pio Fini foli edhe për paraqitjet e balerinëve dhe kostumet e tyre, që sikurse edhe shfaqja e kanë një mesazh të veçantë.

“Balerinët do të jenë të veshur të gjithë në të bardha, sikurse një ëndërr, kurse pjesët që do t’i ngjiten veshjeve do të jenë shumëngjyrëshe. Kur fillova të punoj me Baletin Kombëtar të Kosovës, kisha disa ide, mirëpo shumë të tjera erdhën përgjatë punës”, tha koreografi Pio Fini, i cili më pas shtoi se qëllimisht janë ndërthurur edhe këngët e vjetra shqipe në mënyrë që kjo shfaqje të jetë akoma më emocionuese për audiencën arbëreshe.

E për fund ai shfrytëzoi rastin që të bëjë thirrje ndaj institucioneve të Kosovës, që të punojnë sa më shumë që Baletit Kombëtar dhe këtyre balerinëve t’ua mundësojë ndërtimin e një vendqëndrimi dhe infrastrukturë më të mirë të punës.

“Ata kanë nevojë për një shtëpi, Baleti Kombëtar i Kosovës ka nevojë për një shtëpi. Shpresoj që përmes kësaj interviste të ndihmoj edhe më shumë që të mundësohet një vendqëndrim për baletin e Kosovës, sepse ata po punojnë ne kushte të jashtëzakonshe”, përfundoi koreografi.

E për KultPlus foli edhe balerini Fatmir Smani, i cili shprehet i lumtur për realizimin e kësaj shfaqje dhe për bashkëpunimin me koreografin Antonio Pio Fini.

“Është një bashkëpunim shumë i mirë, marrë parasysh festivalin të cilin e zotëron koreografi Pio Fini në Kalabri. Kjo shfaqje është me temë shqiptare, pra e tregon pak ma shumë migrimin, këngët të cilat u janë kushtuar arbëreshëve dhe po besoj që atje do të mirëpritet shumë”, theksoi Smani për KultPlus.

Ndërkaq, balerina Aulonë Nuhiu e cila po ashtu vlerësoi lart bashkëpunimin me koreografin dhe asistenten e tij.

“Kemi filluar të punojmë për këtë shfaqje para 10 ditëve dhe është një kohë shumë e shpejtë me mbërri ta vëmë në skenë gjithë këtë lojë. Ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë edhe me koreografin edhe me asistenten e tij dhe për këto dhjetë ditë jemi munduar që të jemi sa më efektivë dhe të japim maksimumin tonë që të mbërrijmë t’i japim lidhshmëri shfaqjes dhe të prezantohemi sa më mirë në Itali”, tha mes tjerash Nuhiu.

Ju rikujtojmë që Baleti Kombëtar i Kosovës do të shfaqet me premierën ‘Shtegtimi’ në kuadër të festivalit  ‘Fini Dance Festival’më 13, 14, 15 korrik./KultPlus.com

Të ngjajshme