Banjat e Caracallas, mrekullia e Romës së lashtë, ku lahej trupi dhe shpirti

22 Korrik, 2025 - 10:00 pm

Nga Albert Vataj

Ka vende ku koha nuk shkon, por qëndron e derdhur në gur, në mermer dhe në ujin që një herë e një kohë freskonte trupat dhe shpirtrat. Një prej këtyre vendeve është Banjat e Caracallas në Romë, një mrekulli e antikitetit që edhe sot të lë pa frymë.

Në zemër të qytetit të përjetshëm, mes rrënojave që mbajnë aromën e perandorive të dikurshme, ndjesh një thirrje të largët: një epokë kur banja nuk ishte vetëm pastrim, por një ceremoni për trupin dhe shpirtin, një rit i përditshëm që përziente luksin, kulturën dhe shpërthimin e jetës urbane.

Në vitin 216 pas Krishtit, perandori Caracalla ndërtoi këtë kompleks gjigant jo vetëm për të lahet, por për të krijuar një univers ku qytetarët e Romës gjenin freski, strehim nga vapës, shoqëri dhe kulturë. Këtu shkriheshin bisedat politike me filozofinë, leximi me sportin, biznesi me artin. Ishte një “qytet brenda qytetit”, një përvojë e plotë jetese.

Arkitektura që sfidon shekujt

Edhe sot, teksa hyn mes këtyre mureve të rrënuara, ndjen ende fuqinë e madhështisë. Hallet e shekujve, era dhe shiu nuk e kanë zbehur dot solemnitetin e tyre. Shikon harkime gjigante, kupola që dikur mbulonin mijëra njerëz, korridore të gjera dhe salla që ende mbajnë hijeshinë e artit romak.

Këtu ndodhesh përballë një simfonie gurësh, ku çdo bllok mermeri është një notë e një muzike të përjetshme.

Banjat ndaheshin në caldarium (pishinë e nxehtë), tepidarium (pishinë e ngrohtë) dhe frigidarium (pishinë e ftohtë), një cikël i plotë relaksi dhe pastrimi që tingëllon si një ritual antik. Përveç kësaj, kishte palestra për ushtrime dhe salla leximi, duke i dhënë këtij vendi një karakter enciklopedik të jetës urbane romake.

Dyshemetë janë një galeri e hapur arti: mozaikë që tregojnë skena mitologjike, kafshë detare, motive gjeometrike, të gjitha punuar me mjeshtëri të pabesueshme. Shumë prej tyre kanë mbijetuar dhe ende shkëlqejnë nën rrezet e diellit, duke i dhënë këtij vendi një magji shtesë.

E mrekullueshme është se Banjat e Caracallas nuk janë thjesht një rrënojë. Çdo verë, mes këtyre mureve të lashta ngrihen skena për opera, balete dhe koncerte simfonike. Imagjinoni tingujt e Verdit apo Puçinit që ngrihen nën kupolat e shekujve, ndërsa nata romake mbush ajrin me aromën e jaseminëve. Ky kontrast i së lashtës me të sotmen i jep banjave një frymë të re dhe një emocion të pazëvendësueshëm.

Banjat e Caracallas mbeten një testament i kulturës së trupit dhe shpirtit, një monument që dëshmon se antikiteti nuk ishte i thjeshtë, por plot dritë, madhështi dhe kërkim të përjetshëm për bukurinë.

Edhe sot, ndërsa ecën mbi ato dysheme të mbuluara nga koha, ndjen të njëjtën pyetje që ndoshta ndjenin edhe romakët e lashtë:

A mund të ketë diçka më të bukur sesa të lahet shpirti dhe trupi në të njëjtin vend?/ KultPlus.com

Të ngjajshme