23 Korrik, 2025 - 12:30 pm
Ozzy Osbourne, vokalisti legjendar i grupit ikonik të heavy metal Black Sabbath, ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare. Lajmi i hidhur ka tronditur botën e muzikës, ndërsa yje të shumtë, fansa dhe ish-anëtarë të grupit i kanë bërë homazhe figurës së pazëvendësueshme të skenës rok.
“Ne humbëm vëllain tonë,” u shpreh me dhimbje Tony Iommi, bashkëthemelues i grupit. Basisti Geezer Butler kujtoi me mall koncertin e fundit të tyre, ndërsa bateristi Bill Ward ndau një fotografi të vjetër që i tregonte së bashku në ditët e lavdisë, transmeton KultPlus.
Vdekja e ikonës së muzikës erdhi më pak se tri javë pas koncertit të lamtumirës në qytetin e tij të lindjes, Birmingham, ku Black Sabbath u rikthyen në skenë për herë të fundit. “Ai e donte muzikën dhe e jetonte skenën. Jam mirënjohës që u ribashkuam për t’i dhënë atij lamtumirën që e meritonte,” shtoi Iommi.
Grupi Metallica reagoi gjithashtu me një deklaratë emocionale në rrjetin X, ku e përshkruan Osbourne si “hero, ikonë, pionier, frymëzim, mentor dhe, mbi të gjitha, mik”.
Black Sabbath ishin pionierë të zhanrit heavy metal, me këngë të paharrueshme si Paranoid, War Pigs dhe Iron Man. Pas largimit nga grupi në vitin 1979 për shkak të mosmarrëveshjeve, Osbourne nisi një karrierë të suksesshme solo, ku kënga e tij e parë Crazy Train mbetet ndër më të famshmet.
Në vitet 2000, publiku e njohu ndryshe përmes reality-show-t të MTV-së The Osbournes, ku ai u portretizua si një baba i dashur dhe shpesh i hutuar, duke fituar zemrat e një brezi të ri fansash.
Ozzy Osbourne la pas gruan e tij Sharon Osbourne dhe gjashtë fëmijë nga dy martesat e tij. Muzika e tij do të jetojë gjatë, ndërsa trashëgimia që la pas do të frymëzojë breza të tërë artistësh./KultPlus.com