‘Bashkohu, Shpëto Jetë’, mbahet mbrëmja filantropike dedikuar fëmijëve të prekur me kancer

9 Shkurt, 2024 - 10:27 pm

Flonja Haxhaj

Mbrëmjen e 8 shkurtit, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë u mbajt eventi kulturor – filanropik ‘Bashkohu, Shpëto Jetë’, një ngjarje kjo e organizuar nga Action For Health, shkruan KultPlus.

Kjo ngjarje tashmë tradicionale, edhe sivjet, mbi të gjitha, qëllim kryesor ka të mbledhë të ardhura për shërimin e fëmijëve të prekur me kancer.

Mbrëmja ‘Bashkohu, Shpëto Jetë’ përcolli emocione të shumëfishta ku përveç qëllimit kryesor, të mbledhë sa më shumë të ardhura për fëmijët që vuajnë nga kjo sëmundje, publiku pati mundësinë të shijojë performancën e grupit ‘Visar Kuçi Trio’.

Në këtë mbrëmje, e para fjalën e mori udhëheqsja e organizatës ‘Action For Health’, Nezaqete Rukovci. Në fjalimin e saj, Rukovci fillimisht falënderoi të gjithë të pranishmit, për kontrbutin e tyrë në këtë kauzë.

“’Action for Health’ për të katërtën herë me radhë po e mban këtë organizim i cili synon t’u përgjigjet kërkesave të familjeve për ndihmë në lehtësimin e shpenzimeve të mjekimit të kësaj sëmundje aspak të lehtë nga e cila në Kosovë çdo vit preken 55 fëmijë e që për një kohë i ndanë ata nga shkolla dhe mësimi kurse prinderit nga puna e aktivitetet e përditshme”, u shpreh Rukovci, e cila më tutje theksoi se kjo inicitaivë ka gjetur përkrahje nga instititucionet si Filharmonia e Kosovës, Pallati Rinisë e poashtu edhe nga donatorë nga sektori privat.

“Dua të theksoj se gjatë kohës së organizimit të këtij aktiviteti që ka për synim të ndihmojë fëmijët e prekur nga kanceri dhe të lehtësoj trajtimin e tyre për aq sa aktualisht u duhet të kërkojnë trajtim jasht vendit, kemi takuar njerëz tëmrekullueshëm të cilët kanë mirëpritur, na kanë inkurajuar e përgëzuar për punën,energjinë, dashurinë dhe përkushtimin tonë në këtë drejtim dhe na kanë motivuar për të ecur përpara në përkrahje të fëmijëve të prekur nga kanceri dhe familjeve të tyre”, u shpreh mes tjerash Rukovci.

I pranishëm në këtë mbrëmje ishte edhe Nëntor Brovina, i cili ndau sfidat dhe vështirësitë e tij si prind teksa fëmija i tij u ballafaqua me këtë sëmundje deri tek tejkalimi i saj.

“Më bëhet zemra mal kur po ju shoh të gjithë juve këtu, që jeni mbledhur për këtë kauzë. Për neve si prindër, këto sfida kanë qenë shumë të vështira dhe të mundimshme. Këto sfida janë një rrugë shumë e gjatë jo vetëm për pacientët por edhe për neve familjarëve, por besoj që me ndihmën tuaj, të mjekëve dhe të Zotit, do të jenë të tejkalueshme”, theksoi Brovina, duke shtuar në vijim se shpreson që të ketë sa më pak raste në botë me këtë sëmundje.

Fjalën në këtë mbrëmje e mori edhe mjeku i fëmijëve, Lendrit Spahiu, i cili u shpreh se stafi mjekësor është dëshmitar i kurajos dhe vullnetit që kanë këta fëmijë në mposhtjen e kësaj sëmundje.

“Sonte jam këtu për të folur për një çështje që prek zemrat dhe mendjet e të gjithëve në këtë sallë, kancerin në mesin e fëmijëve. Si mjek, kam parë nga afër sfida, dhembjet dhe mbi të gjitha, forcën e jashtëzakonshme të këtyre fëmijëve dhe familjeve të tyre. Sipas të dhënave të fundit, një në 300 mijë fëmijë e adoleshentë diagnostifikohen çdo vjet me sëmudjen e kancerit në botë dhe afërsisht mbi 800 famije mësojnë çdo ditë lajmin se fëmija e tyre është me kancer”, u shpreh Spahiu i cili mes tjerash tha se stafi mjekësor kujdeset maksimalisht që këta fëmijë ta kenë me të lehtë trajtimin.

E pas fjalimeve, në skenë u ngjit grupi ‘Visar Kuçi Trio’ për të vazhduar më pas me performancës që e plotësoi këtë mbrëmje emocionuese.

“Për neve është shumë me rëndësi të ndihmojmë në një kauzë të tillë siç është kjo sonte, prandaj jemi të nderuar që jemi sonte këtu. Kemi zgjedhur një program që ndoshta pak do t’ju disponojë pak dhe do t’ju inspirojmë që ju sa më shumë të ndihmoni për fëmijët që kanë nevojë”, u shpreh Visar Kuçi, për të vazhduar më pas me perfomancën e tyre, si një thirrje që të ketë sa më shumë ndihmë financiare për këta fëmijë.

Ndërkaq, ju kujtojmë që ‘Action For Health’ shënoi sivjet vitin e katërt të iniciativave të tilla, që ka për qëllim që të mbledhë sa më shumë fonde për të dërguar për shërim fëmijët e prekur me kancer./KultPlus.com

Të ngjajshme