2 Gusht, 2025 - 11:55 pm
Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka marrë zyrtarisht shtetësinë e Kosovës në një ceremoni të veçantë të mbajtur në Prishtinë, ku u prit nga Presidentja Vjosa Osmani, shkruan BBC.
E lindur në Londër nga prindër kosovarë-shqiptarë, Lipa e ka jetuar një pjesë të fëmijërisë së saj në Prishtinë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Marrja e shtetësisë kosovare për të përfaqëson një përmbushje të identitetit të saj të dyfishtë, transmeton KultPlus.
“Kjo më bën të ndjehem e plotë – si dy anët e mia që më në fund janë bërë një. E dua këtë vend dhe kjo ka një domethënie të madhe për mua dhe për familjen time,” – deklaroi Lipa.
Presidentja Osmani e quajti Duan “një nga figurat më ikonike kulturore në historinë e Kosovës”, ndërsa shtoi:
“Nga skenat më të mëdha të botës te zemrat e miliona njerëzve, ajo e ka bartur historinë tonë me forcë, krenari dhe hir.”
Në ceremoni, një kor fëmijësh interpretoi këngën “Levitating”, ndërsa i pranishëm ishte edhe ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili tha se “si Britania, ashtu edhe Kosova e quajnë Duan një nga të tyret.”
Dua Lipa, që tashmë zotëron shtetësitë e Britanisë, Shqipërisë dhe Kosovës, është në Prishtinë për të performuar në festivalin Sunny Hill, të cilin e ka themeluar bashkë me babain e saj që nga viti 2018.
Përmes këtij festivali dhe punës së saj humanitare, Lipa ka ndihmuar në ndryshimin e perceptimit për Kosovën dhe në promovimin e saj ndërkombëtar si një vend i gjallë, kulturor dhe me potencial./BBC/KultPlus.com