BE-ja s’e njeh Kosovën, mungon flamuri në Bruksel

29 Prill, 2021 - 3:43 pm

Bashkimi Evropian duket se nuk e konsideron tamam shtet Kosovën. Së paku këtë përshtypje ta lë qëndrimi që BE-ja e mban karshi saj.

Sot, në konferencën e përbashkët për shtyp që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Josep Borrell e mbajtën pas takimit në Bruksel, nuk u pa askund flamuri i Kosovës. Ishin vetëm dy flamuj të BE-së, raporton Gazeta Express.

Albin Kurti dhe Josep Borrell, sot.

Vetëm një flamur i BE-së dhe afër tij ai serb ishin vendosur mes përfaqësuesit të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur këta dy u takuan para dy ditësh.

Aleksandar Vuçiq dhe Josep Borrell, të hënën.

Pesë vende të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, por BE-ja ndërmjetëson pothuajse çdo takim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në disa prej tyre, janë nënshkruar edhe marrëveshje të cilat janë ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

Nga 27 shtetet anëtare të BE-së, Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Me këtë veprim, besohet se ato po e pengojnë seriozisht rrugëtimin e Kosovës në proceset integruese.

Por Borrell i tha sot Kurtit se dialogu me Serbinë, në fakt, është rruga e Kosovës për në BE.

“Rruga evropiane e Kosovës kalon nëpër këtë dialog. Nuk ka rrugë tjetër. Nuk ka alternativë tjetër. Duke arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është mënyra për ta marrë perspektivën evropiane. Prandaj për këtë unë e inkurajova Z.Kurti që të përfshihet në këtë çështje”, tha Borrell.

“Një person kur e merr një mandat kaq të fortë nga qytetarët, do të thotë se ata po ta ofrojnë një mundësi për ta shtyrë Kosovën drejt Bashkimit Evropian, standardeve evropiane dhe ne shpresojmë që ju do ta shfrytëzoni këtë mundësi”, theksoi ndër tjerash kryediplomati evropian.

Por standardi evropian i Bashkimit Evropian duket se është për të mos e trajtuar Kosovën në mënyrë të barabartë me Serbinë. /Express/ KultPlus.com

Të ngjajshme