BE-ja synon ta largojë fjalën ‘Krishtlindje’, Papa reagon me krahasim me nazizmin

7 Dhjetor, 2021 - 11:16 am

Papa Françesku e ka krahasuar tërthorazi Bashkimin Evropian me diktaturën naziste për shkak se po përpiqet që të vendosë disa rregulla për përdorimin e gjuhës, përfshirë ndalimin e fjalës “Krishtlindje”.

84-vjeçari e paralajmëroi Bashkimin Evropian që “të mos e marrë rrugën e kolonizimit ideologjik”, pasi u kthye nga vizita 4-ditore në Greqi, shkruan Daily Mail.

Javën e kaluar, Bashkimi Evropian u ankua se po përpiqet që t’i “anulojë” Kërshëndellat, pasi i tha stafit që ta shmangë këtë fjalë dhe në vend të saj ta përdorë togfjalëshin “periudhë festash”, sepse ajo mund të jetë fyese për ata që nuk janë të krishterë.

“Është diçka që nuk ka funksionuar përgjatë tërë historisë. Në histori, shumë diktatura janë përpjekur që t’i bëjnë këto gjëra. Po mendoj për Napoleonin, diktaturën naziste, atë komuniste”, tha Papa përderisa po kthehej me aeroplan në Vatikan.

Ai shtoi se Bashkimi Evropian është i nevojshëm, por duhet ta shmangë nxitjen e përçarjeve në mesin e vendeve anëtare. “Bashkimi Evropian duhet të jetë i kujdesshëm që të mos e marrë rrugën e kolonizimit ideologjik. Kjo mund të përfundojë në përçarjen e shteteve dhe shkaktimin e dështimit të BE-së”, tha Papa.

Në dokumentin e javës së kaluar të BE-së i thuhet stafit që të shmanget supozimi se të gjithë janë të krishterë dhe se “jo të gjithë i festojnë festat e krishtera dhe jo të gjithë të krishterët i festojnë ato në datat e njëjta”.

Në vend se të thuhet “periudha e Krishtlindjeve mund të jetë stresuese”, stafi u udhëzua që të thotë “periudha e festave mund të jetë stresuese”.

Kardinali Pietro Parolin, sekretar i Shtetit i Vatikanit, e akuzoi Bashkimin Evropian se po mundohet “t’i prishë rrënjët tona” duke e injoruar – e jo duke e respektuar – trashëgiminë e krishterë të Evropës./GazetaExpress/KultPlus.com

Të ngjajshme