Bëhet promovimi i monografisë ‘Gazmend Zajmi – një jetë për Kosovën’

17 Shkurt, 2024 - 11:55 pm

Të enjten, në Shtëpinë Botuese ‘Dukagjini’  u bë promovimi i librit monografik kushtuar jetës dhe veprës së Gazmend Zajmi të shkruar nga Nuhi Bytyçi, shkruan KultPlus.

Veprimtaria e kontributi i akademikut Gazmend Zajmi është përmbledhur nëmonografinë “Gazmend Zajmi – një jetë për Kosovën” me autor gazetarin veteran e dokumentaristin, Nuhi Bytyçi. Aty përfshihet jeta e kontributi arsimor, politik, shkencor, kulturor dhe jo vetëm.

Para publikut që kishte mbushur plot hapësirën në të cilën bëhej promovimi, i pari fjalën e mori profesori, Arsim Bajami, i cili po ashtu është edhe redaktor i kësaj monografie.

“Jam i nderuar që mund të them disa fjalë në cilësinë e redaktorit të librit të autorit Nuhi Bytyqi e cila tërësisht i dedikohet jetës dhe veprës së Gazmend Zajmit. Dua të përgëzoj autorin për këtë kontribut të jashtëzakonshëm. Të flasësh për Gazmend Zajmin është sikur të folësh për një figurë poliendrike, një kolos dhe një erodit të shkencave juridike dhe politike. Gazmend Zajmi është një figurë shumë dimensionale dhe që mund të shikohet nga shumë këndvështrim”, u shpreh Bajrami.

Për të folur rreth këtij libri që flet për jetën dhe veprën e Gazmend Zajmi,i pranishëm ishte edhe profesori dhe akademiku, Ksenofon Krisafi i cili shprehet i lumtur për prezencën e tij në këtë promovim.

“Kur kolegu dhe miku im, akademik Arsim Bajrami më propozoi që të isha pjesë e këtij auditori për të folur për monografinë e Nuhi Bytyqit kushtuar një kolosi të doktrinave juridike politike e shkencore në përgjithësi siç është Gazmend Zajmim dhe mund të them me sinqeritet që jam shumë i privilegjuar që jam këtu sot”, tha profesor Krisafi.

I pranishëm në këtë monografi ishte edhe profesori, Agim Zogaj, i cili ndau me të pranishmit edhe momente nga takimet e tyre të përbashkëta.

‘Është kënaqësi që të jesh në një auditor të tillë siç është ky sot këtu. Është kënaqësi që sonte i përmendim kujtimet tona përmes kësaj monografie për një nga eroditët më të mëdhenj të fushës intelektuale që Kosova ka pasur”, tha Zogaj, i cili në vijim u shpreh se përveç si një figurë shumë-dimensionale, Gazmend Zajmi është një figurë i cili mori pjesë dhe dha vulë në shumë momente të rëndësishme historike të vendit tonë.

E krejt në fund, fjalën e mori vetë autori i librit, Nuhi Bytyçi, i cili fillimisht falënderoi të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtij libri monografik.

“Së pari dua  të falënderoj familjen Zajmi, të cilët kanë kontribuar shumë që të kem në dispozicion të gjitha materialet, të gjitha dokumentet të cilat janë përfshirë në këtë monografi. Është përgjegjësi e madhe për çdo njeri e sidomos për mua në këtë rast që të marr këtë barrë shumë të madhe për të përgatitur dhe pasqyruar jetën dhe veprimtarinë shumë dimensionale dhe të rrallë  të Gazmend Zajmit”, u shpreh autori Bytyçi./KultPlus.com

Të ngjajshme