“Beni ecën vetë”, në kinemanë verore të DPA-së

29 Maj, 2025 - 4:45 pm

Në kuadër të nismës së Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA) për t’i njohur të rinjtë me të shkuarën e vendit, Kinemaja Verore e këtij institucioni rihap dyert për një sezon të ri artistik.

DPA bëri të ditur se ditën e hënë në mbrëmje, (2 qershor), në vijim të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, çelet sipari me një prej filmave më të dashur të të vegjëlve, “Beni ecën vetë”.

Filmi mban firmën e regjisores Xhanfise Keko dhe është prodhim i vitit 1975. “Beni ecën vetë” ekranizohet falë bashkëpunimit të vazhdueshëm mes DPA-së dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF).

Duke ruajtur kthjelltësinë ndaj ngarkesës ideologjike të kinematografisë vendase gjatë regjimit komunist, ky sezon i Kinemasë Verore të DPA-së, do t’i kushtohet posaçërisht komedisë shqiptare.

DPA ftoi të gjithë adhuruesit e kinematografisë shqiptare të rezervojnë falas biletën e tyre, në faqen: https://teater.arkiva.gov.al/

Hyrja do të jetë e lirë për të gjithë.

Nga batutat legjendare, te situatat plot humor të hollë, filmat që do të shfaqen në këtë kinema janë pjesë e një trashëgimie kinematografike që mbart jo vetëm të qeshura, por edhe reflektime të kohës kur janë krijuar.

Kinemaja Verore e DPA-së është një hapësirë e gjallë kulturore, me 140 ulëse nën qiellin e hapur, që ofron një mënyrë të veçantë për të përjetuar filmin si bashkëbisedim mes brezave./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme