‘Besa e përjetshme’, mbrëmje gala në përkujtim të Holokaustit

27 Janar, 2023 - 12:56 pm

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit “Israeli House Albania” organizoi sot në Teatrin e Operas dhe Baletit aktivitetin me temë “Besa e përjetshme”.

Qindra të ftuar, personalitete të larta të shtetit shqiptar, ministra, deputetë, akademikë, familje të shpëtuesve të hebrenjve gjatë Luftës, personalitete hebraike, nga rajoni u  mblodhën në një mbrëmje gala që ndërthuri histori e muzikë.

Në fjalën e tij, presidenti i nderit i “Israeli House Albania”, Yehiel Hilik Bar, si nip i të mbijetuarve të gjenocidit nazist ndaj hebrenjëve, e stërnip i viktimave të kësaj lufte, u shpreh se “ne sot flasim për 6 milionë hebrenj të vrarë, e madje shpesh thuhet se ata u vranë nga makinerai naziste, por në fakt nuk ishte makineria naziste ajo që vrau”.

“Ishin qeniet njerëzore që i vranë duke krijuar një kasaphanë. Një nga masakrat dhe gjenocidit më të mëdha që ka njohur historia. Dhe ne duhet të mos e harrojmë kurrë atë që ka ndodhur, ndaj jemi sot këtu, që kjo të mos harrohet. Që 2/3-tat e hebrenjve u vranë në këtë gjenocid. Mirëpo edhe sot, edhe 8 dekada pas Holokaustit ka nga ata që duan ta mohojnë, por ne nuk do ta lejojmë këtë. Edhe sot ne shohim të shfaqen forma urrejtje ndaj hebrenjve apo myslimanëve dhe ne duhet ta frenojmë këtë. Sepse lufta ndaj një feje, është luftë ndaj të gjitha feve, është luftë ndaj njerëzimit”, u shpreh Yehiel Hilik Bar.

Ai vlerësoi Shqipërinë si vend që ka tolerancë zero ndaj antisemitizmit, e që i ka mirëpritur dhe mbrojtur gjithmonë hebrenjtë që erdhën nga jashtë këtij vendi.

“Për fat të keq, gjyshi im nuk erdhi këtu në Shqipëri… Ne do të vazhdojmë gjithmonë t’i ruajmë këto raporte, sepse nuk do të harrojmë kurrë se si populli juaj na mirëpriti, duke na ofruar një strehë të sigurt, mbrojtje nga nazistët. Ne nuk do të harrojmë kurrë se si Shqipëria ishte vendi që strehoi më shumë hebrenj, pas luftës sesa para saj. Dhe do të jemi mirënjohës që kombi juaj është angazhuar që t’u mësoj brezit të ri se ç’ishte Holokausti. Falë asaj që ju keni bërë për ne, ne do jemi gjithmonë motra e vëllezër. Ndaj ne nesër do të mbajmë zi bashkë, do të qajmë bashkë, por mbi të gjitha s’do të harrojmë se çfarë ndodhi”, shtoi ai më tej.

Anëtar Nderi i Bordit të projektit ‘Israeli House Albania’, ish-presidenti Alfred Moisiu bëri thirrje që t’i mëshohet kujtesës e vlerave të humanizmit që e kaluara të mos përsëritet, duke sjellë në vëmendje sakrificën e shqiptarëve për të mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës.

“Ne shqiptarët dhe izraelitët jemi dy kombe që historikisht jemi luftuar padrejtësisht nga të tjerët. Kjo na jep të drejtën të themi se afrimi ynë historik, duhet të përforcohet edhe më shumë në kohën e sotme, që në fat të keq është mbarsur me fenomene e ngjarje që mund ta shkaktojnë një katastrofë dhe më të madhe se në të kaluarën”, u shpreh ish-presidenti Moisiu.

Fjalën në emër të kryeministrit Edi Rama, në nder të kësaj dite, e mbajti ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Spiropali vlerësoi se “Shqipëria dhe Izraeli, shqiptarët dhe hebrenjtë kanë patur pikat e tyre të kontaktit shumë hershëm, si një shenjë e fatit që bashkon”.

“Një prej tyre, që është dhe pjesë e krenarisë sonë kombëtare, është sjellja e shqiptarëve të cilët ofruan strehë e morën në mbrojtje mijëra hebrenj në prag dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore”, vlerësoi ajo./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme