займ на карту онлайн потребительский кредит

Besart Lumi në Beograd: Serbia nuk ka paguar për dëmet e bëra në luftën e fundit në Kosovë

24 Tetor, 2020 - 7:15 pm

Suada Qorraj

Njëzet vite që pas përfundimit të luftës, Kosova ende përballet me të kaluarën e saj të dhunshme, që nga përfundimi i konfliktit janë ndërmarrë shumë nisma të drejtësisë tranzicionale, por këto nisma ishin të fragmentuara dhe të njëanshme. Dhe si të tilla ato kanë qenë të padobishme për të sjellë shoqërinë kosovare në një të ardhme paqësore.

Në ditën e fundit të festivalit ‘Mirëdita,dobar dan’, solli përballë publikut serb prezantimin e raportiit “Demokratizimi i Drejtësisë Tranzicionale”, me autorët Besart Lumi dhe Gëzim Visoka.

Ky hulumtim tregon se një qasje nga lart-poshtë dhe e drejtuar nga jashtë e drejtësisë tranzicionale nuk ka qenë e dobishme dhe sugjeron që Kosovës i duhet një infrastrukturë e integruar dhe diskutuese për të siguruar legjitimitetin dhe efikasitetin e përpjekjeve për t’u marrë me të kaluarën në Kosovë, shkruan KultPlus.

Autori i këtij hulumtimi, aktivisti dhe studiuesi i drejtësisë tranzicionale, Besart Lumi gjatë prezantimit që ju bëri të gjeturave theksoi se Serbia nuk ka paguar për dëmet e bëra në luftën e fundit në Kosovë. Madje ai theksoi se Serbia deri më sot nuk i ka kthyer as dëmshpërblimet e kontributeve pensionale.

“Serbia nuk ka paguar asnjë dëmshpërblim për dëmet dhe humbjet e jetëve nga fushata e saj ushtarake dhe policore në Kosovë dhe nuk ka kthyer kontributet pensionale. Në mungesë të dëmshpërblimit zyrtar nga Serbia, Qeveria e Kosovës ofron dëmshpërblime në formën e pensioneve dhe privilegjeve të tjera për veteranët e luftës, invalidët dhe familjet e dëshmorëve të luftës së UÇK ’së; viktimat civile dhe të mbijetuarit e viktimat e dhunës seksuale gjatë konfliktit; si dhe të burgosurit politikë dhe civilët e dëmtuar fizikisht”, u shpreh Lumi para të pranishmëve serb e shqiptarë.

Ndërkaq panelistja tjetër, Nora Ahmetaj aktiviste dhe eksperte për drejtësi tranzicionale gjatë këtij diskutimi tha se është jo vetëm e nevojshme por e domosdoshme që të gjendet e vërteta për viktimat që përjetuan dhunë dhe humbën jetën gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Drejtoresha ekzekutive e New Social Initiative, Jovana Radosavjevic tha se Kosova njëzet e një vite pas përfundimi të luftës nuk ka arritur që të krijoj një strategji për ballafaqimin me të kaluarën. Sipas saj iniciativat e deritanishme që janë bërë për drejtësinë tranzicionale nuk kanë adresuar nevojat adekuate të komunitetit.

“21 vite më vonë Kosova ende nuk ka bërë një strategji për ballafaqimin me të kaluarën dhe këtu ka një mungesë të vullnetit politik. Ka pasur iniciativa të ndryshme që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën dhe me drejtësinë tranzicionale që nuk arritën që në mënyrë adekuate të adresojnë nevojat e komuniteiti”, ka theksuar Radosavjevic.

Festivali ‘Mirëdita, dobar dan’ do të vazhdoj natën e tij të fundit me prezantimin e përmbledhjes së tregimeve të Tristan Halilaj, ‘Richard Gere ka qenë këtu’ si dhe filmin e ‘Shpia e Agës’./ KultPlus.com

Të ngjajshme