BE’së i kërkohen më tepër veprime sesa reagime për të pagjeturit

6 Tetor, 2020 - 9:27 am

Kushtrim Gara, udhëheqës i Zyrës në Komisionin Europian për të Pagjeturit ka folur rreth masakrave serbe dhe të pagjeturve të luftës duke e nënvizuar këtë si një nga temat më të ndjeshme të vendit.

Sipas tij, kjo është një situatë komplekse që dy vitet e fundit po përballet me sfidën e mungesës së informacioneve të besueshme, gjë që lidhet drejtpërdrejtë me gatishmërinë e palës serbe për të bashkëpunuar.

I pyetur se sa i mundur është sigurimi i të dhënave pas deklaratës së ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç i cili ka kërcënuar këdo që do të bashkëpunojë në çështjen e të pagjeturve, Kushtrim Gara e ka konsideruar këtë diçka skandaloze.

“Deklaratat e tilla shpërfaqin në realitet qasjen e institucioneve të Serbisë”,- tha ai për Euro News duke theksuar se nisur dhe nga pozicioni i Daçiq si ministër i Punëve të Jashtme duhet të ketë inkurajim për të lehtësuar dhimbjen e familjeve kosovare dhe jo deklarata të tilla.

Gara tha se e vlerësonte reagimin e Bashkimit Europian, por sidoqoftë do të donte të kishte veprime konkrete më tepër se reagime.

Ndërkaq, sa i përket qëndrimit të tij nëse deklarata e Daçiç duhet konsideruar vepër penale, Kushtrim Gara riktheu vëmendjen te reagimet e Bashkimit Europian që nuk duhet të ngelin vetëm reagime.

“Sigurisht që është shqetësuese deklarata megjithatë më shqetësuese se deklarata janë veprimet e vazhdueshme gjatë këtyre 21 viteve që bëhen nga institucionet e Serbisë për të penguar këtë proces”, u shpreh ai. / KultPlus.com

Të ngjajshme