9 Qershor, 2025 - 2:15 pm
Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, ka njoftuar se është përuruar hapësira e rifunksionalizuar e degës së Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Ulpianë. Ajo theksoi se ambienti i rinovuar është tashmë i hapur për komunitetin dhe ofron kushte më të mira për qasje në dije dhe kulturë.
“Fëmijët pushtuan me gëzim hapësirën e degës së Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Ulpianë, ku përuruam dhe rifunksionalizuam një ambient të rikthyer për komunitetin”, ka shkruar Halimi.
Hapësira u mbush me gëzimin dhe energjinë e fëmijëve, të cilët ishin pjesë e aktivitetit përurues. Sipas Halimit, kjo bibliotekë po bëhet sërish një vend i dashur për të gjitha moshat./KultPlus.com