Biblioteka Kombëtare e Kosovës nis programin e këmbimit të materialeve bibliotekare me Bibliotekën e Kongresit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

23 Korrik, 2025 - 8:00 pm

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka nisur programin e këmbimit të materialeve bibliotekare me Bibliotekën e Kongresit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky program përfaqëson më shumë se një shkëmbim librash. Ai nënkupton njohje ndërkombëtare për autorët, studiuesit dhe botuesit tanë, si dhe mundësi të reja për hulumtim, qarkullim dhe bashkëpunim në nivel global.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi të ri dhe me rëndësi të veçantë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka pranuar titujt e parë nga Biblioteka e Kongresit disa ditë më parë, duke shënuar një moment historik në rrugëtimin e saj.

Aktualisht, Biblioteka është duke përzgjedhur dhe përgatitur dërgesën e saj të parë me botime nga Kosova, të cilat do të bëhen pjesë e fondit të Bibliotekës së Kongresit në Shtetet e Bashkuara. Këta tituj përfaqësojnë me dinjitet pasurinë tonë letrare, shkencore dhe kulturore.

Të qenët pjesë e koleksioneve të një biblioteke me reputacion botëror është një dëshmi e vlerës së botimeve tona dhe një kontribut i çmuar në ndërlidhjen kulturore mes vendeve./KultPlus.com

Të ngjajshme