Biblioteka Kombëtare nis organizimin e koleksionit të artit bashkëkohor

30 Korrik, 2025 - 1:33 pm

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” po zhvillon një projekt të rëndësishëm për evidentimin, klasifikimin dhe organizimin e koleksionit të artit bashkëkohor që ndodhet në Bibliotekën e Arteve Bashkëkohore.

Koleksioni përfshin libra tematikë dhe monografi për artistë vendorë dhe ndërkombëtarë, katalogje ekspozitash, materiale digjitale si CD dhe DVD, pllaka vinili me regjistrime arkivore, revista dhe botime periodike në gjuhë të ndryshme, përfshirë anglisht, gjermanisht, turqisht, kroatisht, koreanishte, tajvanez, bullgarisht, maqedonisht dhe shqip. Botimet vijnë nga Evropa, Azia, Amerika dhe Ballkani Perëndimor.

Figura kryesore të koleksionit janë artistë të njohur si Salvador Dalí, Pablo Picasso, Jean-Antoine Watteau dhe Mario Sironi, si dhe artistë modernë dhe bashkëkohorë të tjerë.

Procesi i punës po zhvillohet në tri faza: evidentimi dhe regjistrimi i materialeve me detaje të plota, klasifikimi alfabetik për lehtësimin e kërkimit dhe renditja fizike në rafte për akses të lehtë për publikun dhe studiuesit.

Qëllimi i projektit është ruajtja dhe dokumentimi i fondit ekzistues, përmirësimi i qasjes në materiale të specializuara dhe nxitja e kërkimit shkencor në fushën e artit bashkëkohor në Kosovë.

Pas përfundimit, koleksioni do të jetë në dispozicion të studiuesve, artistëve, studentëve dhe publikut të gjerë, duke kontribuar në promovimin e trashëgimisë kulturore bashkëkohore.

Faleminderit stafit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës për përkushtimin dhe angazhimin në këtë projekt të rëndësishëm/KultPlus.com

Të ngjajshme