BM gjobit TikTok-un për shkelje të ligjit për mbrojtjen e të dhënave të fëmijëve

5 Prill, 2023 - 7:00 pm

Gjiganti kinez i mediave sociale TikTok është gjobitur me 15,9 milionë dollarë nga Zyra e Komisionerit të Informacionit të Britanisë së Madhe (ICO) për një numër shkeljesh të ligjit për mbrojtjen e të dhënave, përfshirë keqpërdorimin e të dhënave të fëmijëve.

Zyra njoftoi sot se rreth 1,4 milionë fëmijë në Britani nën moshën minimale 13-vjeç iu bashkuan TikTok-ut në vitin 2020, pavarësisht rregullave të vendit që nuk lejojnë fëmijët e kësaj moshe të hapin një llogari.

“Ligji i mbrojtjes së të dhënave në BM thotë se organizatat që përdorin të dhëna personale kur ofrojnë shërbime të shoqërisë së informacionit për fëmijët nën 13-vjeç duhet të kenë pëlqimin nga prindërit ose kujdestarët e tyre”, theksoi ICO.

Zyra shtoi se TikTok-u nuk arriti të merrte lejen dhe të kryente kontrolle të mjaftueshme për të identifikuar ose hequr fëmijët e mitur nga platforma e tij.

Gjoba e lartë vjen pasi TikTok-u është nën kritika në një numër vendesh, përfshirë SHBA-në dhe vendet e Bashkimit Evropian, për shkak të frikës se të dhënat nga platforma në pronësi private mund të aksesohen dhe shfrytëzohen nga qeveria kineze./ KultPlus.com

Të ngjajshme