Bogujevci: Suksesi i Kosovës në KiE-kur jemi bashkë arrijmë shumë

25 Prill, 2024 - 1:19 pm

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, e ka vlerësuar si sukses të unitetit votimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Ky është rezultat i punës dhe angazhimit të punës së delegacionit të Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë punuar pa ndalë dhe me përkushtim me qëllime të përbashkëta. Ky sukses i Kosovës tregon më së miri se kur jemi bashkë mund të arrijmë shumë. Kemi qenë ekip dhe ashtu njihemi në asamble. Ky votim është një fitore e madhe për Kosovën. Ka mbete pjesa finale unë jam shumë optimiste në vendim që do të merret unë kam besim te plote por duhet shumë punë”, ka thënë ajo në seancën e sotme të Kuvendit.

Bogujevci e ka cilësuar këtë arritje si historike për vendin dhe demokracinë, e themeluar mbi vlera si të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit.

Ndërkaq kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, tha se vendi është afër largimit të masave sanksionuese të vendosura nga BE.

“U deshën edhe 11 muaj të tjerë për ta kuptuar ju dhe BE që problemi nuk është në Kosovë por në Serbi, që bojkoti nuk vjen nga Kosova por nga Vuçiqi. Dhe që proceset nuk bllokohen nga shtetet demokratike si Kosova, por nga ato autokratike siç është Serbia. Rezultati i zgjedhjeve të kësaj të diele në katër komunat në veri shënon zbatimin në plotëni të marrëveshjes së Bratisllavës nga ana e Kosovës. rrjedhimisht do të thotë largim të masave ndaj Kosovës”, deklaroi kryetarja e komisionit parlamentar./rtk/ KultPlus.com

Të ngjajshme