Bota po bashkëjeton me realitetin e ri

27 Qershor, 2020 - 9:00 am

Ndërsa infeksionet masive godasin edhe në vendet që dukeshin se e kishin zbutur koronavirusin, zyrtarët po kthehen drejt qasjeve të targetuara dhe të shpejta, por fleksibile, për të ndaluar valët e treta ose të katërta. Kina po teston punonjësit e restoranteve dhe shoferët shpërndarës të ushqimeve, bllok pas blloku pallatesh. Koreja e Jugut u thotë njerëzve të mbajnë dy lloje maskash për situata të ndryshme sociale me risk. Gjermania kërkon që komunitetet të mbyllen kur numri i infeksioneve kalon pragje të caktuara. Britania do të ketë në shënjestër shpërthimet lokale. Në të gjithë botën, qeveritë që dukej se e kishin zbutur koronavirusin po përshtaten me realitetin e ri, dhe mendimin se sëmundja është këtu për të qëndruar. Por duke u larguar nga izolimet e dëmshme mbarëkombëtare, ato po kërkojnë mënyra të targetuara për të gjetur dhe ndalur shpërthimet para se të bëhen valë të treta ose të katërta.

Strategji të ndryshme për qëllim të njëjtë

Ndërsa detajet ndryshojnë, strategjitë synojnë t’u japin qeverive fleksibilitet, që të shtrëngojnë ose lehtësojnë masat, sipas nevojës. Ato synojnë një përzierje të testimit dhe monitorimit intensiv, kohë të shpejtë të reagimit nga autoritetet, menaxhim strikt të kufijve dhe kujtesa të vazhdueshme për qytetarët, mbi rreziqet e kontaktit të shpeshtë njerëzor. Strategjitë shpesh i detyrojnë qeveritë qendrore dhe zyrtarët lokalë të ndajnë të dhëna dhe të punojnë ngushtë së bashku, duke kapërcyer sistemet kompjuterike të papajtueshme, luftërat e egove dhe rivalitetet e tjera burokratike. Tashmë, në Britani, disa zyrtarë lokalë thonë se përpjekjet e tyre nuk janë të koordinuara sa duhet.

Ndryshimi i strategjive është një konfirmim që edhe vendet më të suksesshme nuk mund të shpallin fitoren, derisa të gjendet një vaksinë. Ato gjithashtu nxjerrin në pah sfidën e përballuar nga vende si Shtetet e Bashkuara, Brazili dhe India, ku autoritetet kurrë nuk frenuan plotësisht shpërthimet fillestare, dhe nga ku koronavirusi do të rrezikojë të përhapet.

“Gjithmonë do të jetë me ne”, thotë Simon James Thornley, epidemiolog nga Universiteti i Auckland në Zelandën e Re.

“Unë nuk mendoj se mund ta eliminojmë virusin. Ne do të duhet të mësojmë të jetojmë me virusin”. Edhe në vendet ku koronavirusi dukej se ishte nën kontroll, shpërthimet masive mbeten një rrezik i madh. Në Tokio ka pasur 253 infeksione të reja javën e kaluar, 83 nga një lagje me klube nate. Në Gütersloh në Gjermaninë perëndimore, më shumë se 1.500 punëtorë nga një fabrikë për përpunimin e mishit dolën pozitivë, duke bërë që autoritetet të mbyllnin dy qarqe, transmeton KOHA.

Koreja e Jugut, një tjetër shtet që u lëvdua për reagim të shpejtë, ka njoftuar dhjetëra infeksione të reja ditët e fundit. Në Romë, e cila kohët e fundit doli nga një prej izolimeve më të rrepta në Evropë, 122 persona janë pozitivë, të lidhur me një rast vatre në një spital, Instituti San Raffaele Pisana. Disa ditë më vonë, 18 njerëz që jetojnë në një ndërtesë me banjë të përbashkët dolën pozitivë me virusin.

“Sapo ne ulëm vigjilencën, na goditi”

“Sapo ne ulëm vigjilencën”, thotë Paolo La Pietra, që zotëron një dyqan duhani në këtë lagje, “na goditi”. Koreja e Jugut e quan strategjinë e saj “karantinë të jetës së përditshme”. Vendi kurrë nuk zbatoi masat e rrepta që u panë në vende të tjera, dhe masat për distancimin shoqëror, megjithëse inkurajohen fuqimisht, mbeten udhëzime. Megjithatë, ajo ka vendosur një objektiv të një maksimumi rreth 50 infeksioneve të reja në ditë – një objektiv që thotë se sistemi i vet shëndetësor publik, duke përfshirë edhe testimin dhe aftësinë për gjurmim, mund t’i përballojë.

Zyrtarët zhvendosin rregullat sipas nevojës. Pas një vale të dytë të infeksioneve që shpërtheu në Seul, zyrtarët e qytetit i detyruan njerëzit të mbajnë maska në transportin publik dhe ambiente të mbyllura publike për dy javë.

Të ngjajshme