“Buka Buskers Fest”, festa e bukës dhe arteve të rrugës në zemër të Horës së Arbëreshëve

14 Korrik, 2025 - 10:00 pm

Në datat 2 dhe 3 gusht 2025, Hora e Arbëreshëve do të mirëpresë edicionin e parë të ‘Buka Buskers Fest’, një festë e veçantë që bashkon traditën e bukës, artet e rrugës, dhe kulturën arbëreshe, në një atmosferë të gjallë dhe përfshirëse për të gjitha moshat, përcjell KultPlus.

Ky festival unik është një ide origjinale e Federica Cuccia, realizuar në bashkëpunim me Giusi Maria Puglia dhe dedikuar komunitetit të banorëve të Horës. Në qendër të ngjarjes do të jetë buka – simbol i jetës dhe mikpritjes – por gjithashtu do të ndërthuren muzika live, cirku, poezia, performancat artistike dhe teatri rrugor, për të krijuar një përvojë të paharrueshme.

Aktivitete kryesore të festivalit do të jenë koncerte dhe performanca muzikore live, cirk modern dhe teatro rruge, poezi dhe mikrofon i hapur në oborr poetik, punëtori dhe aktivitete për fëmijë, të rinj dhe të rritur.

Po ashtu përgjatë këtyre ditëve do të ketë edhe punëtori dhe bashkëpunime të veçanta si punëtori vallesh folklorikë.  Italia Carroccio, aktore dhe trajnuese e njohur, do të sjellë punëtorinë e improvizimit teatror “Biografi Urbane”. Miriam Palma udhëheq punëtorinë e këndimit “Trupi i zërit”. Spazio Euphoria organizon punëtori cirku për fëmijët dhe të rinjtë nga 3 deri në 18 vjeç./KultPlus.com

Të ngjajshme