20 Korrik, 2025 - 12:23 pm
Nga rrënojat antike, deri te peizazhet natyrore mahnitëse, Parku Kombëtar i Butrintit mbetet një prej destinacioneve më unike dhe më të vizituara në Shqipëri.
Ky qytet antik, i mbrojtur nga UNESCO, vijon të tërheqë turistë nga e gjithë bota falë pasurisë së tij historike dhe trashëgimisë kulturore të rrallë.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau sot pamje nga Butrinti, duke theksuar rëndësinë e tij si pasuri kombëtare dhe ndërkombëtare.
Butrinti është dëshmi e gjallë e qytetërimeve të mëdha që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e njerëzimit.
Kompleksi arkitektonik i Butrintit përfshin 15 zona të periudhave të ndryshme historike, duke filluar nga shekulli IV para Krishtit deri në shekullin XVI pas Krishtit. Ky mozaik epokash e bën Butrintin një muze të hapur të qytetërimeve që kanë kaluar nëpër shekuj – nga romakët, bizantinët, venecianët e deri në Mesjetë.
Në zemër të parkut gjendet teatri antik, i cili ka qenë skenë e shfaqjeve dhe ritualeve ndër shekuj, duke ruajtur ende atmosferën dhe akustikën e kohës.
Po ashtu, bazilika, nimfeumi dhe monumente të tjera madhështore dëshmojnë ndërthurjen e arkitekturës me religjionin dhe kulturën e periudhave të ndryshme.
Muzeu i Butrintit, i vendosur mes rrënojave të lashtësisë, ofron një kronologji të pasur të historisë mijëravjeçare të qytetit. Mozaikët e ruajtur me kujdes, me figurat e tyre të ndërlikuara, rrëfejnë histori unike mbi jetën, traditat dhe besimet e banorëve të lashtë të kësaj zone magjike./atsh/KultPlus.com