Çeku: Kosova humbi njërin prej njerëzve më të urtë dhe më të dashur

11 Prill, 2021 - 9:49 am

Mbrëmë u bë e ditur se instrumentisti i njohur i Kosovës, Shaqir Hoti ka ndërruar jetë. Adhurues të tij e dashamirës të artit, e kanë konsideruar një humbje të madhe për artin shqiptar.

Ndër reagime të shumëta ka qenë edhe reagimi i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku i cili përmes një statusi në rrjetin social Facebook, theksoi se kultura kosovarë ka humbur njërin prej margaritarëve të vet kulturor. Çeku poashtu ka potencuar se Kosovës dhe të gjitha sferave kulturore të saj, do t’i mungoj personaliteti, urtësia, profesionalizmi, inovacioni, kreativiteti dhe kultura e veçantë shprehëse e Hotit.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të Çekut.

Ndërroi jetë Baca Shaqë!

Sot kultura kosovare humbi njërin prej margaritarëve të vet kulturorë, trashëgimorë e njerëzorë.

Kosova humbi njërin prej njerëzve më të urtë dhe më të dashur i cili me kapacitetin e tij profesional, intelektual e njerezor kultivoi një pjesë tejet të rëndësishme të trashëgimisë sonë shpritërore dhe ishte forcë e bashkimit të të gjitha fushave të tjera kulturore – veçanerisht të kulturës sonë muzikore.

Kosovës dhe të gjitha sferave të saj kulturore do t’i mungojë personaliteti, urtësia, profesionalizmi, inovacioni, kreativiteti dhe kultura e veçantë shprehëse e Bacës Shaqë.

Ministria e Kulturës dhe i tërë komuniteti muzikor i Kosovës ndajnë dhimbjen me familjen e z. Hoti në këto kohëra të vështira. / KultPlus.com

Të ngjajshme