5 Gusht, 2025 - 8:40 pm
Në Prishtinë ka nisur Kampionati Evropian U17 për hendbolliste, një ngjarje sportive madhore që po zhvillohet gjatë kësaj jave në ambientet e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ishte i pranishëm në ceremoninë e hapjes dhe theksoi rëndësinë e këtij eventi për vendin tonë, transmeton KultPlus.
“Kosova jonë, vend i ngjarjeve të mëdha sportive ndërkombëtare. Vendi ynë, përveç sportistëve të jashtëzakonshëm që po na bëjnë krenarë në botë, po tregon çdo ditë se mund të organizojë ngjarje të mëdha sportive me shumë sukses,” u shpreh ministri Çeku.
Ai gjithashtu ftoi qytetarët të mbështesin ekipin kombëtar të vajzave dhe të përjetojnë atmosferën e veçantë që ky kampionat po sjell në kryeqytet.
Ky është një tjetër hap i rëndësishëm drejt afirmimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare të sportit, duke dëshmuar kapacitetin për organizimin e kompeticioneve serioze dhe me standarde të larta./KultPlus.com