Çeku në takim me komunitetin artistik në Prizren në serinë e diskutimeve të hapura për kulturë

24 Mars, 2022 - 6:00 pm

Po vazhdojnë diskutimet mbi reformën ligjore dhe institucionale në kulturë, mes Ministrit Çeku dhe komunitetit artistik.

Takimi i radhës u mbajt në Kino Lumbardhi në Prizren.

Përgjatë dy orësh u diskutua për mënyrën e funksionimit sa më të mirë të artit dhe kulturës në vend. U fol për ndryshimin e ligjit dhe udhëzimeve, ndërtimin e një partneriteti strategjik mes ministrisë dhe skenës së pavarur kulturore, statusin e teatrove amatore dhe mbështetjen e tyre të qëndrueshme financiare. Gjithashtu për promovimin e artit tek gjeneratat e reja, integrimin e dramave të gjuhëve tjera, turke, rome, boshnjake etj, në kuadër të teatrit të qytetit, promovimin më të madh të aktiviteteve kulturore dhe lidhjen e tyre me programet edukative në shkolla.

Po ashtu u fol për çështjen e politikave kulturore për botimin e librave, krijimin e orkestrës simfonike të qytetit, pagat e artistëve dhe instrumentistëve, funksionalizimi i baletit, teatrit të kukullave në Prizren, forcimi i komisioneve vlerësuese për projektet që aplikohet për subvencionim, rritja e monitorimit për mbarëvajtjen e projekteve që subvencionohen duke ashpërsuar monitorimin.

Tema tjera ishin krijimi i artit për publikun, duke rritur dhe zhvilluar audiencën, rritja e fondit për diversitet kulturor, kalendari vjetor i artit për Prizrenin, hapësirat alternative kulturore, ri funksionalizimi i hapësirave publike për ta kthyer artin tek publiku etj.

Diskutimi i radhës do të mbahet në Ferizaj. / KultPlus.com

Të ngjajshme