Çeku përfaqësoi Kosovën në Samitin Ndërkombëtar të Kulturës në Edinburg të Skocisë

29 Gusht, 2022 - 10:01 pm

Samiti i Kulturës që këtë vit shënoi edicionin e gjashtë, është ngjarje dy-vjetore që i bën bashkë ministrat e kulturës, institucionet e artit dhe artistët nga e gjithë bota. Delegacioni i Kosovës mori pjesë në këtë samit me ftesë të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, Qeverisë së Skocisë, Këshillit Britanik (British Council) dhe Parlamentit të Skocisë, bashkë-organizatorë të ngjarjes.

Gjatë samitit, panelistët dhe delegatët pjesëmarrës, nga kryeministri britanik Boris Johnson, tek ministrat e kulturës nga shumë shtete e deri te artistët, aktivistët e zyrtarët e tjerë, diskutuan për rolin që kanë arti e kultura në edukim, liri, paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm. Ky organizim vjen edhe si thirrje globale për të rimenduar politikën kulturore, si përpjekje për ta nxjerrë trajtimin e kulturës nga qasja sektorale dhe vendosur atë në thelb të tërë spektrit qeverisës, politikave publike dhe planifikimit zhvillimor.

Përgjatë tri ditësh, ministri Çeku bashkë me ekipin e tij ishin pjesë e sesioneve dhe paneleve si folës, patën takime bilaterale me delegacione të ndryshme shtetërore dhe ndoqën disa aktivitete kulturore në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Edinburgut.

Në fjalimin e mbajtur para të pranishmëve, ministri Çeku ofroi hollësi mbi reformën ligjore dhe institucionale në art dhe kulturë në Republikën e Kosovës. Duke folur për vizionin e qeverisë për zhvillimin kulturor, ai sqaroi se ripërcaktimi i politikës kulturore synon institucione efikase dhe të pavarura, rritje të audiencave, shpërndarje më efektive të fondeve dhe prezantim ndërkombëtar të shtetit. Ministri në veçanti potencoi ndikimin që kultura ka në sistemin arsimor, duke paralajmëruar nisjen e programit shtetëror për edukim artistik. Ai gjithashtu tregoi për përpjekjet e qeverisë së Kosovës për të ndërlidhur artin, kulturën e trashëgiminë kulturore me sferat e tjera të politikave publike, si planifikimin hapësinor e mjedisin, zhvillimin ekonomik, shëndetësinë, arsimin e diplomacinë.

Delegacioni i Kosovës pati disa takime dhe shkëmbime me ministrat, zëvendës ministrat, sekretarët shtetërorë të kulturës nga Mbretëria e Bashkuar, Katari, Letonia, Uellsi, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara (National Endowment for the Arts). Këto takime shërbyen për të nisur dialogun për bashkëpunimin e ardhshëm bilateral kulturor ose për konsolidimin e marrëdhënieve ekzistuese në kulturë. /KultPlus.com

Të ngjajshme