7 Qershor, 2025 - 11:15 pm
Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo tha sot se Korça mirëpriti 15 agjencitë turistike më aktive në vend.
Në aktivitetin e organizuar me rastin e çeljes së sezonit veror, ku i pranishëm ishte edhe drejtuesi politik i PS për Korçën, Niko Peleshi, si edhe Prefekti i qytetit, Nertil Jole, kryebashkiaku Filo u shpreh se kjo është një mundësi e vyer për të prezantuar nga afër ofertën e pasur të Korçës.
“Natyrë e mrekullueshme, trashëgimi kulturore, gastronomi autentike dhe një kalendar ngjarjesh që e bëjnë Korçën destinacionin e preferuar të verës”, tha ai.
Sipas Filos, bashkëpunimi me profesionistët e turizmit është çelësi për të forcuar promocionin e Korçës dhe për të ndërtuar një zhvillim sa më të qëndrueshëm e gjithëpërfshirës.
“Korça është gati për një sezon veror të jashtëzakonshëm”, u shpreh Filo.
Korça çeli sot sezonin turistik me Festivalin Ndërkombëtar të Karnavaleve, një paradë plot ngjyra e aktivitete që dhurojnë një atmosferë të veçantë për të gjithë qytetarët.
E njohur për Karnavalet e famshme Korça, e ka shndërruar këtë traditë në një nga festat më të bukura të qytetit. Muzika dhe alegria, i bëjnë karnavalet, ftesën unike korçare për turistët vendas e të huaj.
Nga aktiviteti për mikpritjen e 15 agjencive turistike në Korçë./ KultPlus.com