Çfarë i kërkonin Fan Nolit për zyrën e pasaportave jashtë vendit

13 Mars, 2022 - 3:30 pm

Fillesat e shërbimit konsullor në Shqipëri në vitet 1919-1921 ishin një periudhë shumë e vështirë në procesin shtetformues të Shqipërisë.

Sfidë e qeverive të asaj kohe ishin marrëdhëniet ndërkombëtare pasi nuk mund të njiheshin nga qeveritë e tjera për shkak të mungesës së stabilitetit të brendshëm dhe debatet që vazhdonin te ndërkombëtarët për statusin e shtetit shqiptar, shto këtu dhe pretendimet e fqinjëve për territoret shqiptare.

Shteti shqiptar për të fuqizuar lobimin pranë qeverive të Fuqive të Mëdha për njohjen e qeverisë shqiptare dhe rikonfirmimin e statusit të shtetit shqiptar si shtet i pavarur e sovran, kishin dërguar përfaqësues jozyrtarë në kryeqytetet e Fuqive të Mëdha si në Londër, Romë, Uashington, ndërsa në Paris këtë funksion e kryente delegacioni shqiptar që ndiqte punimet e Konferencës së Paqes.

Për shkak të pengesave që u dilnin shtetasve shqiptarë me banim jashtë për të udhëtuar, ose për t’u kthyer në atdhe për shkak të mungesës së pasaportave të përshtatshme, lindi nevoja që të kishte përfaqësues të shtetit shqiptar, jo vetëm në vendet me peshë në politikën ndërkombëtare, por edhe në vendet ku banonin shumë shqiptarë.

Që nga pranvera e vitit 1920 filluan të hapen Zyrat legale të Pasaportave, të cilat pas vendimit të Konferencës së Ambasadorëve 9 nëntor 1921, që konfirmoi statusin dhe kufijtë e shtetit shqiptar u kthyen në konsullata e legata. Zyrat e delegacionit shqiptar në Paris filluan të kryenin edhe shërbimet e para konsullore për shqiptarët me banim në Francë.

Shtysë për hapjen e Zyrave të Pasaportave që do pajisnin shqiptarët me një format të njëjtë pasaportë shqiptare për udhëtime jashtë, ishin jo vetëm kërkesat e shumta që vinin nga shqiptarët në botë që kërkonin të udhëtonin në Shqipëri, por edhe rrethana të tjera.

Pasaportat që lëshonin komitetet e kolonive shqiptare në botë nuk njiheshin më nga shtetet e huaja, sidomos pas pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në dhjetor 1920.

Nuk njiheshin më gjithashtu pasaportat që nxirreshin nga prefektura të ndryshme në vend për banorët e saj, por kërkohej që ato të lëshoheshin nga autoritetet qendrore në vend.

Me hapjen e këtyre Zyrave, nga pranvera e vitit 1920 deri në fund të vitit 1921, pranë qeverisë shqiptare mbërritën kërkesat e para nga shqiptar me banim jashtë që të emëroheshin si Agjent Konsullor ose i Ngarkuar me Zyrën e Pasaportave shqiptare.

Në një prej letrave dërguar Fan Nolit në gusht të 1920, në dokumentet e botuara nga arkiva online e MEPJ-së Ilia Chapullari shprehet se shumë shqiptarë udhëtarë po presin dita ditës zgjidhjen e çështjes së pasaportave dhe hapje e udhës, duke kërkuar emërimin e agjentëve konsullorë apo të ngarkuar me Zyrën e Pasaportave.

Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve dhjetor 1920, pa u konfirmuar akoma statusi i shtetit të pavarur, detyroi shtetin shqiptar të hapte në janar 1921 një zyrë përfaqësuese edhe në Gjenevë ku ndodhej selia e Lidhjes. Eugen Pittardi, nënshtetas zviceran, mik i Shqipërisë, me pëlqimin e Këshillit të Naltë, emërohet Konsull i parë i Përgjithshëm i Nderit i shtetit shqiptar në Gjenevë. Shpenzimet e shtëpisë i paguante shteti shqiptar.

Zyrat e Pasaportave do të funksiononin për të mbrojtur interesat e shtetasve shqiptarë në një periudhë tranzitore, 1919-1921 kur ekzistonte një qeveri shqiptare, por që akoma nuk njihej nga ndërkombëtarët, dhe përbën fillesat e shërbimit konsullor shqiptar./ KultPlus.com

Të ngjajshme