16 Gusht, 2025 - 9:13 am
Sot, më 16 gusht, bota kujton lindjen e Charles Bukowskit, poetin e humbësve të mëdhenj dhe fituesve të vegjël, njeriun që ktheu çdo plagë në varg dhe çdo gotë alkooli në metaforë.
Ai erdhi nga pluhuri i rrugëve të Los Anxhelosit, i rrahur nga jeta, i përqafuar nga vetmia, por me një penë që digjte si cigarja e tij e përhershme. Bukowski nuk shkroi për heronjtë, as për të bukurën e përsosur; ai shkroi për burrin që bie e çohet pesëdhjetë herë, për gruan që largohet duke lënë një aromë parfumi të lirë pas saj, për shpresën që shuhet e ndizet sërish mes shisheve të zbrazura, transmeton KultPlus.
Në ditëlindjen e tij, e ndjejmë sikur ai ende ecën nëpër rrugët e natës, me këmishën gjysmë të zbërthyer dhe zemrën plot vraga. Bukowski na mësoi se jeta, edhe në rrëmujën e saj më të pistë, ka një muzikë të brendshme. Se edhe dhimbja, kur e sheh drejt në sy, bëhet poezi.
Duke e kujtuar sot, ne kujtojmë se letërsia nuk lind vetëm nga dritat e mëdha të salloneve, por edhe nga qoshet e errëta të jetës ku një shpirt i lodhur e ka guximin të thotë të vërtetën.
Charles Bukowski mbetet uragani i heshtur që na kujton se edhe e shëmtuara mund të ndriçojë./KultPlus.com